Shkup, 8 shtator – VMRO – DPMNE filloi procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum për shfuqizimin e Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë, ndërsa presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sërish paralajmëroi se ndërprerja e vlefshmërisë së Marrëveshjes do ta ndërpresë integrimin tonë evropian.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski dje në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) parashtroi iniciativë për Referendum. Mickoski pret që sot në zyrat rajonale të KSHZ-së të grumbullohen njëqind nënshkrime që ajo të dorëzohet në Kuvend pas festës kombëtare. Ai, siç tha, do të jetë në mesin e nënshkruesve të parë në zyrën rajonale të KSHZ-së, në Karposh, si dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.
Mickoski e tha pyetjen referendumit: A jeni për shfuqizimin e rëndësisë së Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut numër 12/2018 nga data 18. 01. 2018?
Nëse do të ketë referendum, shtoi ai, qytetarët do të kenë mundësi që të deklarohen me “për” dhe në atë mënyrë më nuk vlen kjo marrëveshje me Bullgarinë ose “kundër” gjegjësisht mbetet të vlejë kjo marrëveshje me Republikën e Bullgarisë. Ju bëri thirrje qytetarëve që pa dallim të përkatësisë së tyre etnike ta mbështesin referendumin.
“Shfrytëzoj rastin t’i thërras të gjitha partitë politike, t’i thërras qytetarët pa dallim etnie, pavarësisht nëse e mbështesin një apo një tjetër opsion politik apo janë të pavendosur politikisht, shfrytëzoj rastin t’i thërras të gjithë aktorët shoqërorë, organizatat joqeveritare, të gjithë individët duhet të bashkohen në një bashkim shoqëror gjithëmaqedonas dhe të kundërshtojnë atë që është problemi kryesor i integrimeve tona evropiane, që është Marrëveshja e nënshkruar nga Republika e Maqedonisë me Republikën e Bullgarisë dhe prandaj kur të ndodhë ky referendum të dalin masivisht dhe të votojmë ‘për’ përfundimin e vlefshmërisë së Ligjit me të cilin është ratifikuar kjo Marrëveshje në kuadër të Kuvendit”, deklaroi Mickoski.
Lideri i partisë opozitare duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për obstruksione të mundshme, tha se pritet duke e pasur parasysh, siç tha, “karakterin e regjimit hibrid i cili për momentin është shumicë e ngushtë parlamentare”.
Mickoski e komentoi deklaratën e presidentit Stevo Pendarovski në të cilën thotë se me këtë referendum ne në fakt do t’i ndërprisnim bisedimet me BE-në, duke theksuar se ai shpesh herë bën “gjimnastikë politike në deklaratat e tija” dhe se nga dita në ditë dëshmon se nuk është dinjitoz që ta kryejë funksionin e presidentit.
“Ju kujtohet, i njëjti Stevo Pendarovski madje sugjeroi një pyetje referendumi dhe në një deklaratë të tij tha se ishte akt legjitim nëse nuk gabohem, pastaj bëri një gjimnastikë dhe u tërhoq nga e gjithë kjo që sot të jetë pështyesi më i madh për deklarimin në referendum. Nëse ai dëshiron të jetë president i të gjithë qytetarëve, duhet të respektojë vullnetin e atyre qytetarëve që vendosin për opozitën dhe që kanë një mendim të ndryshëm nga qeveria. Më vjen shumë keq që Stevo Pendarovski dita ditës dëshmon se nuk është i denjë për të kryer postin që e mban, që është president i të gjithë qytetarëve dhe më vjen keq që ky njeri do të ketë edhe pak mundësi të jetë aty ku është”, tha lider i VMRO-DPMNE-së.
Presidenti Stevo Pendarovski konsideron se nuk mund të bisedojmë për integrime evropiane nëse nuk duam marrëveshje për fqinjësi të mirë me fqinjët. Nuk mbështet referendum me të cilin do të shfuqizohej Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, sepse kjo, siç tha, do ta ndërpriste integrimin evropian të vendit. Kjo, thekson, do të ishte njëjtë sikur të besojmë se mund ta shfuqizojmë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, ndërsa të besojmë se mund të bëhemi anëtare e NATO-s. Kjo, potencoi Pendarovski, nuk është e mundur.
“Ky nuk është qëndrim im ad-hok, ky është i bazuar në argumente dhe në proces të të menduarit çka mund të sjellë ai referendum nëse është i suksesshëm. Të mos ketë ndonjë huti, të përsëris edhe një herë. Nëse ju e kontestoni ose bëni përpjekje që ta kontestoni përmes referendumit Marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë dhe integrimet dhe bisedimet evropiane, kjo është njëjtë sikur dikush tu thotë se mundeni në referendum ta kontestoni ose shfuqizoni Marrëveshjen me Greqinë dhe të bëheni anëtare të NATO-s, nuk është e mundur. Domethënë, të mos kemi iluzione, marrëveshjet dypalëshe me fqinjët dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore siç i quajnë në BE janë një prej parakushteve kyçe, gjithnjë edhe kanë qenë, për integrim të cilitdo shtet jo vetëm nga ky rajon, por edhe nga e gjithë bota pas komunizimit pas vitit 1990”, deklaroi Pendarovski.
Lidhur me atë se a do të iniciojë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickoski, partia e të cilit ka iniciuar procedurë për shpalljen e referendumit, presidenti Pendarovski theksoi se kushdo që ka dashur të bisedojë me të për çfarëdo çështje e ka marrë atë dhe se ai si president inicioi takime dhe bisedime me të gjithë aktorët politikë.
“Mbetem i hapur për diskutime për çdo çështje që prek interesat e shtetit dhe mbi të gjitha interesat e qytetarëve. Por, në lidhje me këtë pyetjen tuaj, qëndrimi im dihet dhe dje ia kam bërë të ditur opinionit maqedonas”, tha Pendarovski.