GazetaMax
Sport

Shqiptarët pushtojnë Superligën e Turqisë në futboll – plot 17 prej tyre luajnë në 10 skuadra elitare

Superliga e Turqisë çdo vjet e më tepër po shton cilësinë, duke transferuar shumë yje të mëdha nga top pesë ligat evropiane.
Por ky kampionat është shumë i dashur edhe për futbollistët shqiptarë, të cilët në numër të madh janë duke luajtur aty, vetëm kampionati zviceran ka më shumë të tillë.
Elita e futbollit turk është bërë një strehë për futbollistët shqiptarë, pasi plot 17 prej tyre janë pjesë e këtij kampionati.

Të gjithë futbollistët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut janë të shpërndarë në 10 klube elitare në Turqi.
Sigurisht që qyteti që është nikoqiri i më shumë futbollistëve shqiptarë është Stambolli, me 11 futbollistë të shpërndarë në pesë klube.

Skuadra e rikthyer në elitën e futbollit kosovar, Istanbulspor ka më së shumti futbollistë shqiptarë në radhët e veta me plot pesë sosh.
Ndërkohë nga dy futbollistë shqiptarë janë në klubet si Kasimpasa, Konyaspor dhe Antalyaspor.
17 futbollistë shqiptarë në 10 klube – Istanbulspori me numrin më të madh
Kur ka përfunduar afati kalimtar i verës, në Superligën e Turqisë janë plot 17 futbollistë shqiptarë të shpërndarë në 10 klube të ndryshme.
Skuadra e rikthyer në elitë, Istanbulspor ka numrin më të madh të futbollistëve shqiptarë, pasi plot pesë të tillë veshin fanellën e klubit verdhezi.

Kristal Abazaj, Valon Ethemi, Jetmir Topalli dhe Eduart Rroca
Valon Ethemi, Eduart Rroca, Jetmir Topalli, Kristal Abazaj dhe së fundmi Sindrit Guri janë futbollistët shqiptarë që po paraqiten këtë sezon te Istanbulspor.
Florent Hadergjonaj dhe Bersant Celina janë dy futbollistë shqiptarë që luajnë tek klubi tjetër nga Stambolli, Kasimpasa.

Bersant Celina dhe Florent Hadergjonaj në stërvitje te Kasimpasa
Në qytetin më të madh turk ndodhen edhe Milot Rashica te Galatasaray, Ibrahim Dresevic te Kragumruk, Ermir Lenjani te Umraniyespor dhe Ezgjan Alioski në Fenerbahce.

Zymer Bytyqi dhe Endri Cekiçi janë te Konyaspor, derisa dy futbollistë shqiptarë janë edhe te Antalyaspor, Admir Mehmedi dhe Amar Gërxahliu.
Ndërkohë nga një futbollist janë te Gazientep ku Valmir Veliu iu bashkua këtë verë dhe Enis Bardhi te kampioni në fuqi i Turqisë, Trabzonspor.
Topalli: Futbolli në Turqi, shtëpia e dytë për futbollistët shqiptarë 
Jetmir Topalli ka dy vite që është transferuar në futbollin turk, ku fillimisht iu bashkua Yeni Malatyasporit nga Ballkani.
Sulmuesi kosovar vitin e kaluar u transferua te Istanbulspor, ku ishte më meritori që kjo skuadër u inkuadrua në Superligën e Turqisë.
Në një prononcim për Telegrafin, Topalli thotë se është kënaqësi që ka kaq shumë futbollistë shqiptarë në Turqi.

Jetmir Topalli
“Pothuajse çdo javë përballemi me ndonjë ekip që ka futbollistë shqiptarë në radhët e veta. Edhe në klubin tim jemi pesë shqiptarë dhe është kënaqësi e madhe, pasi qëndrojmë gjithmonë bashkë si në klub ashtu edhe në qytet”, thotë Topalli për Telegrafin.
24-vjeçari mendon se futbolli turk është bërë si shtëpia e dytë e futbollistëve shqiptarë.
“Lirisht mund të themi se futbolli turk është bërë si shtëpia e dytë  futbollistëve shqiptarë. Mendoj se shqiptarët po përshtaten shumë shpejt këtu pasi përveç gjuhës që është ndryshe, çdo gjë tjetër është e njëjtë me Kosovën, si mentaliteti, ushqimi apo jetesa që e bëjnë në këtë vend”, tha Topalli.

Tutje ish-sulmuesi i Ballkanit dhe Vushtrrisë tregon se gjatë ndeshjes flasin shpesh herë edhe në gjuhen shqipe me bashkëlojtarët si Sindrit Guri, Eduart Rroca, Kristal Abazaj e Valon Ethemi.
“Po shumica jemi që luajmë në ofensivë, mesfushë dhe sulm dhe nuk mungon komunikimi në gjuhen shqipe. Kjo e ka edhe anën e keqe që jemi shumë shqiptarë pasi turqishten nuk e mësojmë shumë”, deklaroi duke qeshur Topalli.
“Krejt në fund mund të them se kampionati turk është rritur shumë viteve të fundit dhe po është një hap i mirë për futbollistët që nga këtu të transferohen në ndonjë kampionat edhe më të madh në Evropë”, u shpreh sulmuesi kosovar.
Bytyqi: Është kënaqësi kur përballem me futbollistët shqiptarë
Njëri nga futbollistët më të mirë në kampionatin turk është reprezentuesi kosovar Zymer Bytyqi, i cili ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Konyasporin.
Bytyqi edicionin e kaluar e mbylli me tetë gola e shtatë asistime, duke qenë futbollisti kryesor i Konayspor. Edhe këtë edicion ka nisur për mrekulli për Bytyqin dhe Konyan, me numrin shtatë që është kryesor i kësaj skuadre.

26-vjeçari ka një vit e gjysmë në Konya, derisa thotë se nuk e kishte pritur që të jetë nivel kaq i lartë futbolli turk.
“Para se të vija e dija se ishte një kampionat i mirë, por nuk e prisja që do të jetë kaq nivel i lartë. Sigurisht që nuk është e lehtë të luash këtu pasi duhet shumë punë dhe përkushtim”, tha Bytyqi.
Te Konya me Bytyqin është edhe reprezentuesi shqiptar Endri Çekiçi, derisa më parë ishin edhe Erdon Daci që u largua në drejtim të Westerlos në Belgjikë si dhe Sokol Cikalleshi që është huazuar nga Konya te skuadra Khaleej FC.

“Sigurisht është kënaqësi kur ke në ekip edhe ndonjë futbollist shqiptarë. Unë kaloj shumë kohë me Endrin, më parë edhe me Sokolin me të cilin përveç që rrinim shumë në klub ishim edhe fqinj dhe edhe familjet tona kalonin kohë së bashku”.
“Futbolli turk është duke u rritur me hapa gjigant dhe vërtet është kënaqësi shumë e madhe kur sheh numër kaq të madh të futbollistëve shqiptarë nëpër klubet elitare”, tha Bytyqi.

Tutje ai thotë se para dhe pas çdo ndeshje qëndron me futbollistët shqiptarë kur përballet me ta.
“Sigurisht që para se të futemi në lojë qëndrojmë së bashku pyesim njëri tjetrin për jetën dhe futbollin, por edhe pas ndeshjeve shpesh herë rrimë së bashku. Ndodh shpesh që takohemi në qytet kur kemi kohë të lirë me futbollistët nga klubet rivale pasi ne jemi shokë të mirë”, u shpreh Bytyqi.
Lenjani: Jam befasuar për të mirë nga futbolli turk dhe niveli i tij
Ermir Lenjani për herë të parë këtë verë u transferua në futbollin turk, ku nënshkroi një kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër me Umraniyespor.
Reprezentuesi shqiptar është befasuar për të mirë nga niveli i futbollit turk.
“Të them të drejtën jam befasuar shumë nga niveli i lartë që është në këtë kampionat. Ka shumë futbollistë të fortë dhe klubet shumë mirë të organizuara”, tha fillimisht Lenjani.

Lenjani thotë se po i vije mirë që në futbollin turk ka kaq shumë futbollistë shqiptarë, pasi ai me këtë trend të shqiptarëve ishte përballur edhe në Superligën e Zvicrës.
“Edhe në Zvicër ka pasur futbollistë të shumtë me prejardhje shqiptare dhe vërtetë është kënaqësi e madhe t’i shohësh thuajse çdo javë duke shkëlqyer bashkëkombësit e tu”.

“Javën e kaluar luajtëm ndaj Trabzonsporit dhe pas ndeshjes biseduam me Enis Bardhin. Thash edhe më parë, është një ndjenjë shumë e mirë kur sheh kaq shumë futbollistë shqiptarë duke shkëlqyer në ligat më të forta evropiane”, u shpreh mbrojtësi i majtë.

Related posts

Pioli po e bën këtë veprim ndaj lojtarëve të Milan që po sjell rezultat në fushë!

Gazetamax.mk

‘Partner perfekt me Tomorin’, ky lojtar pritet të transferohet në San Siro

Gazetamax.mk

Guardiola arrin numër rekord të gjysmëfinaleve në Ligën e Kampionëve

Gazetamax.mk