GazetaMax
Lajme

Fillon edicioni i gjashtë i Festivalit mediatik në Shkup

Shkup, 22 shtator – Edicioni i gjashtë i Festivalit mediatik në Shkup, kushtuar trajtimit mediatik të mjedisit jetësor, do të mbahet prej sot e deri të shtunën në Kinotekë, në organizim të Platformës për gazetari hulumtuese dhe analiza-PINA.

Festivali hapet me një diskutim për pasqyrimin e çështjeve që lidhen me mjedisin dhe ndryshimet klimatike në mediat e vendit, pasuar nga një shfaqje e dokumentarit “Thellë në akull”, një udhëtim i tre eksploruesve nëpër rajonet e akullta të Grenlandës.

Për temën e festivalit të këtij viti do të flasë edhe gazetarja gjermane Sara Shurman, e cila onlajn të premten do të ndajë udhëzime për raportim efektiv gazetaresk mbi krizën klimatike.

Ditën e fundit të festivalit në Kinotekë do të zhvillohet një diskutim për çështjen lokale të sipërfaqeve të gjelbra dhe zhvillimin urban. Dita e dytë e festivalit megjithatë, fillon me një diskutim të mbulimit mediatik të të drejtave të personave pa shtetësi, refugjatët, migrantët dhe azilkërkuesit.

“Që nga themelimi i PINA-s, organizata ndjekë me përkushtim problemet dhe sfidat që prekin gazetaret femra në Maqedoninë e Veriut, që vazhdon të jetë në fokus të këtij edicioni të festivalit. Më 23 shtator shfaqet për herë të parë në Kinotekë filmi dokumentar me metrazh të shkurtër nga PINA ‘Rrjetet e rrezikshme’ dhe do të prezantohet botimi ‘Nga normalizimi në autocensurë’ për ngacmimet onlajn të grave gazetare në vend. Ky është publikimi i parë i PINA-s dhe paraqet një hulumtim dhe analizë të plotë, në të cilën janë anketuar më shumë se 100 gazetare femra nga skena e medias vendase, me qëllim që të mbledhin përvojat e tyre për ndikimin e ngacmimit onlajn mbi to dhe punën e tyre”, njofton PINA.

Pas diskutimit do të vijojë shfaqja e “Vrasja e një gazetari” i cili dokumenton përpjekjet e gazetarëve për të hedhur dritë mbi vrasjen brutale të gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe partneres së tij, Martina Kushnirova.

Related posts

Ministri Sali thërret punonjësit shëndetësor të paraqiten vullnetar për në Turqi

Gazetamax.mk

Bllokimi aktiv do të vazhdojë në vitin që vjen

Gazetamax.mk

Pendarovski dhe Xhaferi me uratë për komunitetin boshnjak

Gazetamax.mk