GazetaMax
Lajme

Gjatë tetorit, institucionet shtetërore kursyen rrymë 24%

Shkup, 22 nëntor – Trendi i uljes së konsumit të energjisë elektrike nga institucionet shtetërore vijon edhe në muajin tetor. Sipas të dhënave të Elektroshpërndarjes për kursimin e energjisë elektrike, rezulton se ndërtesat administrative të Presidentit të Shtetit, Kuvendit, Qeverisë, ministrive, SHA EMV, SHA MEPSO kanë arritur një konsum të reduktuar të energjisë elektrike mesatarisht 29 për qind, që është më shumë krahasuar me kursimin total prej 20 për qind të arritur në shtator, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Të gjitha institucionet në muajin tetor kanë të paktën 15 për qind ulje të konsumit të energjisë elektrike, që është në përputhje me rekomandimet dhe detyrat e sjella nga Qeveria. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë ka kursimet më të ulëta prej 18 për qind, ndërsa ndërtesa e Ministrisë së Arsimit ka kursimet më të larta deri në 58 për qind. Kursimi i energjisë elektrike i Qeverisë është 32%, i Kuvendit në tetor është 22%, i Kabinetit të Presidentit 24%, i ndërtesës administrative EMV është 25%, kurse i MEPSO-s 22%”, tha Bekteshi në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Nëse merren parasysh të dhënat e të gjitha ndërmarrjeve, agjencive dhe administratave shtetërore, theksoi ai, atëherë kursimi total i energjisë elektrike arrin në 24 për qind.

“Sipas të dhënave, konsumi i energjisë elektrike vetëm i ministrive, i përmbledhur së bashku me të gjitha njësitë që janë në përputhje me kompetencat e një ministrie të caktuar, është ulur për 33 për qind. Ministria e Arsimit ka arritur kursimin më të ulët të energjisë elektrike prej 24%, kurse Ministria e Mjedisit Jetësor ka arritur kursimin më të lartë prej 94%. Kursimi i energjisë elektrike në Ministrinë e Shoqërisë Informatike është 50%, në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale 58%, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministrinë e Financave kursimi është 44%, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale 40 për qind, Ministria e Ekonomisë kurseu 30 për qind energji elektrike, po aq është kursimi edhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, saktëson Bekteshi.

Në analizën e konsumit të energjisë elektrike për muajin tetor 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021, siç tha ai, janë përfshirë gjithsej 19 ndërmarrje publike shtetërore me të gjitha njësitë rajonale, ku kursimi total është 17 për qind.

“Sipas të dhënave në paraqitjen tabelare, rezulton se 15 subjekte kanë realizuar kursime prej së paku 15 për qind në tetor 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021”, tha Bekteshi.

Të dhënat për kursimin e energjisë elektrike në komunat që kanë pasur rekomandim për të kursyer, shtoi ai, tregojnë se nga 81 komuna, 65 komuna kanë pasur kursime prej së paku 15 për qind, prej të cilave 12 komuna kanë arritur kursime më të mëdha se 50 për qind.

“Gjithsej 16 komuna nuk kanë pasur kursime prej 15 për qind, prej të cilave vetëm tri kanë konsum më të lartë në tetor 2022, krahasuar me tetorin e vitit 2021, ndërsa 13 komunat e mbetura kanë ulur konsumin, por nuk kanë arritur kursime prej 15 për qind”, theksoi Bekteshi.

Këto të dhëna për kursimin e energjisë elektrike, tha ai, tregojnë se nëse të gjithë jemi racional dhe nuk e shpenzojmë energjinë elektrike pa nevojë, mund të bëhen kursime të mëdha. Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive dhe qytetarëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë racionale.

Related posts

ZZHTI ka vendosur standardet ndërkombëtare ISO për luftën kundër korrupsionit dhe cilësinë e punës

Gazetamax.mk

Zjarri kaplon depon e “Benfikos” në lagjen Gazibabë të Shkupit

Gazetamax.mk

Putin e Macron flasin në telefon

Gazetamax.mk