Shkup, 3 janar – Prokuroria më në fund ka emëruar një person përgjegjës për trajtimin e rasteve të hapura nga Komisioni për antikorrupsion, thekson kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
“Është e vërtetë që raportet tona dorëzohen në Prokurorinë Publike, e cila deri më tani ka reaguar shumë pak, pothuajse aspak nuk ka reaguar pozitivisht. Por ka një rreze shprese. Së fundmi kemi krijuar një komunikim me një person nga Prokuroria, i cili është caktuar për të bashkëpunuar me Komisionin Shtetëror. Ai person na ka kërkuar që të japim listën e të gjitha iniciativave që i janë dhënë Prokurorisë Publike që të shohin se ku janë rastet. Ky është tashmë një hap përpara, i cili shkon në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit me Prokurorinë Publike. Unë sinqerisht shpresoj se diçka do të ndodhë pas kësaj”, tha Ivanovska në intervistë për Kanal 5.
Sipas Ivanovskës, në shtet ka korrupsion, por duhet vërtetuar. Gjithashtu, ajo thekson se korrupsioni është sinjal i keqmenaxhimit të burimeve shtetërore.
Ajo thekson se nuk është e kënaqur me mënyrën se si shteti përballet me korrupsionin.
Ivanovska beson se zgjedhja e Abazit për fillim nuk ngjall besim.
“Në luftën kundër korrupsionit dhe me shembull personal dhe sistematik. Me shembullin personal të gjithë mund të kontribuojnë, pavarësisht nëse janë zyrtarë apo qytetarë të thjeshtë. Ne duhet të kemi njerëz që janë rezistent ndaj korrupsionit, si për të dhënë ashtu edhe për të marrë. Si fillim, nuk na ngjall besim sepse nuk e dinim se për çfarë njeriu bëhet fjalë, përkatësisht çfarë rezultatesh kishte pas tij gjatë karrierës së tij. Aq më tepër që u shfaqën foto të lidhura me personazhe politikë, saqë dyshimi tek qytetarët u rrit dhe në të njëjtën kohë u ul besimi. Nëse ai njeri është me integritet, tani ka një detyrë shumë të vështirë. Nëse ai person ka integritet, duhet të investojë dy herë më shumë energji për të provuar se ka integritet. Dhe nëse nuk ka, atëherë menjëherë do të dalë në pah. Ajo që për mu është simptomatike janë prokurorët publikë që e zgjodhën, se si ishin të bindur se kolegu i tyre do të ishte idhulli i tyre”, tha Ivanovska.