GazetaMax
Lajme

Për nxënësit e Çashkës nuk ka paralele në gjuhën shqipe, ata vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase!

Shkup, 2 mars – Prej kur është premtuar shkolla në fshatin Çashkë po të ishte realizuar tani do të ishte koha të flitej për renovimin e kësaj shkolle, por ja që mbetet ende temë që duhet të flitet për ndërtimin e kësaj shkolle që është jetike për nxënësit e këtij fshati që të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Politikanët tanë e kanë kuptuar se më e lehtë se të premtosh është të mos realizosh, sepse në këtë vend askush për asgjë nuk kërkon llogari. Nxënësit e fshatit Çashkë, nuk kanë kërkuar laboratorë e as tabela digjitale, thjesht vetëm atë për të cilën kanë nevojë një shkollë që të mësojnë në fshatin e tyre e në gjuhën e tyre. E tani kur flitet për ndryshim të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e për atë se sa është e zbatueshme gjuha shqipe në RMV kemi ende raste që nxënësve shqiptarë nuk u garantohet mësimi në gjuhën shqipe. Rasti i tillë, është në fshatin Çashkë që nuk po gjinden dot një zgjidhje e përshtatshme që nxënësit të mos mësojnë në gjuhën maqedonase, sepse elementi kryesor i asimilimit është gjuha. Për ironi me Ministrinë e Arsimit për një periudhë të gjatë kanë udhëhequr shqiptarët, dhe sërish problemet me arsimin për shqiptarët nuk po përfundojnë, shkruan Zhurnal.

Shqiptarët e Çashkës në vitin 2023 kërkojnë shkollë, sepse nxënësit vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase-

Shqiptarët e Çashkës në Maqedoninë e Veriut trajtohen si qytetarë të dorës së dytë duke u lënë pas dore, dhe duke mos i mundësuar integrim dhe kushte normale për arsimim. Ata nuk jetojnë në një botë paralele janë qytetarët të po këtij shteti, ngjashëm sikurse të gjithë ne të të tjerët. 72 nxënësit shqiptarë vazhdojnë të ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase. Kjo është kërkesa që në 12 shkurt 2019 u dërguar në Komunën e Çashkës, kërkesë që fëmijët shqiptar të ndjekin mësimin në gjuhen e tyre shqipe.

Por, janë bërë gati 5 vite nga kur kjo kërkesë vazhdon ët mbetet ende kërkesë, e kjo përshkak të mos përfilljes së institucionit kryesor Ministrisë së Arsimit, me të cilën kanë udhëhequr shqiptarët. Kjo është e pakuptimtë se si ka mundësi që një kërkesë normale që është jetike dhe e domosdoshme për nxënësit e kësaj ane të mos përfillet të neglizhohet.

Pra, kërkesa ishte dërguar edhe te ministri i atëhershëm i Arsimit, Arbër Ademi. Hapja e kësaj paralele shkaktoi edhe protesta nga banoret maqedonas të Çashkës për te penguar hapjen e paraleles shqipe në Shkollën Fillore “Todor Janev” ku atëherë ishin 41 nxënës shqiptar, por tani në këtë vit shkollor aty mësojnë 72 nxënës shqiptar që ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase dhe hapja e kësaj paralelë ende mbetet peng.

Protestat e maqedonasve kundër hapjes së kësaj paralele tregojnë qartazi për mentalitetin shpellarë dhe anti-shqiptarë të qytetarëve maqedonas kundrejt shqiptarëve. Maqedonasve ju pengon që shqiptarët të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, sepse firkësohen nga integrimi i shqiptarëve në këtë vend. Por, kjo protestë jo normale është e pritshme, ajo që nuk është e pritshme është fakti se si bartësit e institucioneve kryesore që udhëheqin shqiptarët tregohen indiferent kundrejt kërkesave dhe nevojave të tilla të shqiptarëve.

Ditë më parë për televizionin Klan Maqedoni këtë e konfirmuan edhe banoret e këtij vendbanimi.

“Kryesorja tani për tani është shkolla, që ka afër 40 nxënës që shkojnë në Komunë të Cashkës. Nxënësit mësojnë në gjuhën maqedonase , dhe nëse vjen shkolla këtu do të mësojnë shqip, ajo është mungesa më e madhe tani për tani. Premtime ka por kur do të behet nuk e dimë, Xhafer Xhaferi, banor.

“Po mungon shkolla, dokumentet janë gati por kur do të filloje nuk e dimë. 33 nxënës janë nga fshati Banjicë. Nuk ka nga pala maqedonase asnjë. Prej në fillim ia nisë në klasë të parë mëson maqedonisht, gjuhen e vet do e harrojë. Na premtoi kryetari i Komunës se do të bëhet, këtu vetëm shkolla mungon dhe rruga”, deklaroi Samet Beqiri, banor i Banjicës.

Pikërisht kjo çështje ishte temë e debatuar edhe në seancën për pyetje deputetesh në Kuvend ku ministri i tanishëm i arsimit Jeton Shaqiri u pyet nga deputeti i ASH-së Halil Snopçe së perse nuk ia merr kompetencat në arsim kryetarit të Çashkës. Duke aluduar në veprimet e ish ministrit të Arsimit, Arbër Ademi, që ia merrte shpesh herë kompetencat, kryetarit të Gostivarit, Arben Taravarit.

“Kryetari e bllokon dhe nuk lejon hapjen e paraleles. Pse ju nuk ia merrni kompetencat kryetarit që këto fëmijë të mësojnë në gjuhen amtare“, pyeti deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.

Shaqiri duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit parashtroi kërkesë deri tek prindërit e nxënësve shqiptar në Çashkë duke apeluar që të ngritin iniciativë dhe të dorëzojnë kërkesë tek Komuna e Çashkës dhe në Ministri të Arsimit.

“Do të apeloja deri tek prindërit e nxënësve në këtë fshat, që për vitin e ardhshëm shkollor të ngritin iniciativë dhe të dorëzojnë kërkesë deri të Komuna e Çashkës dhe do të kërkoja që edhe një kërkesë të parashtrohet tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës me numrin e nxënësve”, u përgjigj ministri Jeton Shaqiri.

Kjo thirrje e ministrit te arsimit ngjalli përsëri shpresat tek prindërit e 72 nxënësve që serish të mbledhin nënshkrime për të disatën here dhe të dërgojnë kërkesën e tyre për mundësimin e hapjes së paraleles ne gjuhen shqipe.

Megjithatë, ajo që është shqetësuese për vendin dhe shqiptarët është fakti që ende në vitin 2023 duhet të parashtrojnë kërkesa që janë jo normale sepse gjërat e tilla duhet të rregullohen pa u kërkuar fare. Sepse, kemi të bëjmë me të drejta themelore njerëzore arsimimi në gjuhën amtare nuk duhet të jetë kërkesë por nevojë që duhej plotësuar nga institucionet e përgjegjshme. Por, në vendin tonë nuk ka institucione të përgjegjshme, prandaj edhe ka përjashtime të kësaj natyre duke diskriminuar shqiptarët pa ndalë në gjitha format. /Zhurnal.mk

Related posts

MPJ mohon se nga Bullgaria po përgatiten detyra të reja për Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk

Sindikata e USHCM në bisedime me kryetarin e Kuvendit Xhaferi në Rektorat

Gazetamax.mk

LSM ende në pritje të ftesës nga Qeveria për të diskutuar rritjen e pagave

Gazetamax.mk