Nga tuneli i Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit që ka shkurtuar ndjeshëm rrugën për të arritur nga Dibra në Tiranë, ministrja e Shqipërisë për infrastrukturën Belinda Balluku çoi mesazh se autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të përgjigjen për ecurinë në ndërtimin e Korridorit 8, për shkak se siç shtoi, sot nuk flitet më për rrugë kombëtare, por për korridore europaine. Ajo theksoi se Shqipëria tashmë e ka nisur pjesën e saj të Korridorit 8, ndërtimi i të cilit ka ecur më shpejtë sesa në Maqedoninë e Veriut, që ka nisur shumë më herët.
“Kështu që në të gjitha rastet, si në rastin e Rrugës së Arbrit ashtu edhe në rastin e Korridorit 8 unë jam shumë e sigurt se pala e Maqedonisë së Veriut duhet të përgjigjet sa më parë, pasi edhe ata ashtu si edhe Shqipëria ka aspiratën e madhe për tu bërë anëtarë i BE-së, dhe që të bëhesh anëtar i BE-së, duhet të bësh detyrat e shtëpisë dhe një nga ato është edhe ndërlidhja e transportit rrugor”, tha Belinda Balluku – ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për kërkesën e Tiranës për përparim në ndërtimin e rrugëve që lidhin dy shtetet, apeloi që Shqipërianjë orë e më parë ta përfundojë projektimin e hekurudhës që është pjesë e Korridorit 8. Siguroi se Maqedonia e Veriut do ta bëjë punën e saj, por Mickoski tha se nuk po sheh që të tjerët po punojnë.
“Andaj ne tonën do ta përfundojmë, por nuk shoh nga atje se po projektohet hekurudha që duhet Durrësin ta lidhë me kufirin, sepse nënshkruam marrëveshje. Ministrat e mbrojtjes i Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në korrik, në Uashtington, nënshkruan marrëveshje se ky Korridor 8 duhet të mbyllet. Por vetëm ne po punojmë, unë nuk shoh se të tjerët po punojnë. Vetëm ne jemi ata që po punojmë dhe përmbushim obligimin tonë. Ejani të gjithë të punojmë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski u lëvdua se Korridori 8 në Maqedoninë e Veriut dhe lidhja drejt pikës kufitare Qafë Thanë po përparon mirë, për të mos thënë, siç u shpreh, shkëlqyeshëm. Sqaroi se deri në fund të këtij muajido të hapet front më shumë se 60km, andaj sipas tij kontraktorët do të mund të vazhdojnë të përparojnë. I vetmi problem, sipas kryeministrit, është në pjesën Trebenishtë-Qafë Thanë për shkak se një pjesë e kësaj traseje është në perimetër të mbrojtur nga UNESCO, po siguroi se edhe për këtë do të gjendet zgjidhje.