GazetaMax
Lajme

Ministri Limani takon deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë, Robert Laimer

Takim zyrtar me deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë, z. Robert Laimer.

Gjatë vizitës sime në Austri realizova takim zyrtar me deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë dhe përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate të Austrisë, z. Robert Laimer, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve tona.

Në fillim të takimit, shpreha ngushëllimet dhe solidaritetin e thellë për tragjedinë që ndodhi në qytetin Graz, duke përcjellë mbështetjen dhe afërsinë e sinqertë të popullit tonë ndaj qytetarëve dhe familjeve të prekura nga ky rast tragjik.

Biseda ishte e fokusuar në mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e politikës sociale, punësimit, fuqizimit të të rinjve dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Z. Laimer ndau praktikat e suksesshme austriake në zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të barazisë sociale dhe kushte të denja puna për të gjithë qytetarët.

Angazhimi i z. Laimer për përmirësimin e dialogut ndërparlamentar dhe nxitjen e partneritetit institucional është shumë i rëndësishëm. Me këtë rast theksova edhe përkushtimin tonë për zbatimin e reformave të qëndrueshme që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës, mbështetjen e kategorive të cenueshme dhe krijimin e mundësive të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.

Të dyja palët shprehën gatishmëri për të punuar së bashku në projekte në fushat e trajnimit profesional, përfshirjes sociale, zhvillimit të shërbimeve moderne sociale dhe mbështetjes së grupeve më të cenueshme në shoqëri.

Në fund të takimit u theksua rëndësia strategjike e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si një garanci për stabilitet të qëndrueshëm shoqëror, zhvillim ekonomik afatgjatë dhe përafrim të politikave kombëtare me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

Related posts

Nesër mblidhet kuvendi, ja për çfarë diskutohet

Gazeta Max

Zendeli: Nuk kemi kapacitet për të luftuar vetë korrupsionin, duhet ndihmë ndërkombëtare

Gazeta Max

Në Shkup sanksionohen 183 shoferë, 58 për vozitje të shpejtë

Gazeta Max