GazetaMax
Lajme

44 palestinezë vriten të premten nga Izraeli në Gaza, OKB-ja paralajmëron për mungesë uji

Zjarri izraelit la të vrarë të paktë 44 palestinezë në Gaza të premten, shumë prej të cilëve ishin duke u përpjekur që të merrnin ushqim, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa agjencia për fëmijë e OKB-së paralajmëroi për një thatësi të bërë nga dora e njeriut në enklavën palestineze për shkak të kolapsit të sistemeve të ujit.

Të paktën 25 njerëz që po i prisnin kamionët me ndihma u vranë nga zjarri i armëve izraelite në jug të Netzarimit, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, tha autoriteti shëndetësor lokal, që menaxhohet nga Hamasi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet nga kjo agjenci për incidentin, ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin shkrepur të shtëna paralajmëruese drejt militantëve të dyshuar, të cilët po avanconin në turmë drejt tyre.

Një aeroplan izraelit më pas “i goditi dhe i eliminoi të dyshuarit”, tha ushtria në një deklaratë, duke shtuar se ishte e vetëdijshme për njerëz të tjerë që janë lënduar në incident dhe ishte duke kryer një rishikim.

Ndërkohë mjekët në Gaza thanë se të paktën 19 njerëz të tjerë u vranë nga sulme të tjera ushtarake izraelite në mbarë enklavën, përfshirë 12 persona në një shtëpi në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke e çuar në të paktën 44 numrin e përgjithshëm të viktimave të së premtes.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Hamasi, i cili thotë se Izraeli po e përdor urinë si armë kundër popullsisë së Gazës, e akuzoi këtë shtet për shënjestrim sistematik të palestinezëve që po kërkojnë ushqim në mbarë enklavën. Izraeli e mohon këtë dhe e akuzon Hamasin për vjedhje të ndihmave ushqimore, akuzë që mohohet nga Hamasi.

UNICEF-i, agjencia e OKB-së për fëmijët, paralajmëroi në Gjenevë për kushte thatësie që po zhvillohen në Gaza.

“Fëmijët do të fillojnë të vdesin nga etja… Vetëm 40 për qind e objekteve për prodhimin e ujit të pijes mbeten funksionale” – tha para gazetarëve zëdhënësi i kësaj agjencie, James Elder. “Jemi dukshëm nën standardet emergjente në aspektin e ujit të pijes” – shtoi ai.

UNICEF-i gjithashtu raportoi për shtim për 50 për qind të rasteve të fëmijëve të moshave 6-mujore deri 5-vjeçare të pranuar për trajtim për kequshqyerje nga prilli në maj në Gaza, ndërsa gjysmë milioni njerëz në uri./Nacionale

Related posts

“27 prilli” – Mbrojtja kërkon rasti t’i kalohet Gjykatës në Hagë përshkak përgjimeve të Ruskoskës

Gazeta Max

Drejtori Halili për vizitë në Jeruzalem, prezantohen arritjet më të fundit teknologjike

Gazeta Max

KSI shqyrtoi gjendjen e pacientëve të sëmurë, izolimi i gjatë nga Covid, rrit numrin e tyre

Gazeta Max