Partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje për gjendjen e rënduar energjetike në vend.
Në ditën që KEK po prodhon vetëm 110 kilovat energji elektrike, deputetët e PDK-së dhe LDK-së kanë thënë se Kosova është buzë kolapsit në këtë fushë.
Sipas tyre, energjia e importuar po blihet nga Serbia.
Për këtë gjendje, ata kanë fajësuar Qeverinë në detyrë. Kryeministri dhe ministrat në detyrë sot nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë gjendje.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se kjo gjendjen po i shkakton dëme të mëdha ekonomisë.
“Kosova është buzë kolapsit, çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kollapsit në sektorin e energjisë”, ka thënë ajo, pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit.
E shqetësuar për gjendjen është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka fajësuar qeverinë në detyrë për heshtje rreth kësaj gjendje.
Në profilin e saj në “Facebook”, Bajrami ka shkruar se energjia e importuar gjatë ditës së shtunë është nga Serbia.
“Sot, në KEK funksionon vetëm blloku A3, me kapacitet 110 MË. KOSTT nuk ka publikuar fare ngarkesën ditore, me gjasë dje kanë marrë vërejtje nga “lart”. Asnjëri prej atyre që e quajnë veten ministra nuk thanë asnjë fjalë sot për energjinë: Sa po na kushton importi sot? Nga po vjen energjia? Kujt po ia paguajmë transportin? Po ua them unë: energjia po vjen kryesisht përmes Serbisë, në emër të “sovranitetit”, fqinjësisë së mirë ose falë kumbarëve të tregtisë me energji”, ka shkruar ajo.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nis hetimet rreth kësaj cështje.
“Unë dua të besoj se pas mijëra raportimeve publike, Prokuroria Speciale ka nisur më në fund hetimet për mafinë energjetike. Mos harroni: jemi duke importuar mbi 1 milion euro energji në ditë, këto janë para të qytetarëve që do t’i paguajnë përmes faturave të rrituara edhe më shumë të energjisë elektrike dhe përmes inflaciont për produktet tjera. Qytetarëve me pak mirëqenie për fitimet të majme, për EFT-në e Vuki-it, NOA-n e për ata që e kanë bë të mundshme krejt këtë situatë. Hetim për të gjitha institucionet që janë pjesë e sektorit të energjisë!”, ka shkruar Bajrami.
KESCO jep lajmin e hidhur
Kompani KESCO ka njoftuar se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar.
Përmes një komunikate për media, kjo kompani ka treguar se aktualisht vetëm njësia A3 është duke prodhuar energjisë rreth 110 megavatë sot.
Pjesa tjetër e kërkesës, ka bërë me dije KESCO, do të mbulohet përmes importit të energjisë.
“KESCO njofton publikun se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar. Njësia A3 është duke prodhuar rreth 110 megavatë sot, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës do të mbulohet përmes importit të energjisë. Në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve si pasojë e temperaturave të larta”, është thënë në komunikatën e KESCO-së.
Kjo kompani ju ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.
“Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, KESCO ka siguruar importet e nevojshme nga tregjet ndërkombëtare dhe po vazhdon të punojë intensivisht për të përmbushur nevojat në rritje për energji. I bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të ndihmojnë në kursimin e energjisë, veçanërisht përmes përdorimit më efikas të pajisjeve për ftohje. Çdo kilovat-orë i kursyer ndihmon në lehtësimin e ngarkesës në sistem dhe ul koston e përgjithshme të energjisë — duke përfituar të gjithë nga kjo. KESCO falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, është thënë në komunikatë.