GazetaMax
Lajme

Një tjetër luftë në horizont, roli kritik i gjeografisë

Ndërsa SHBA-të po shqyrtojnë opsionet e hyrjes apo jo në një konflikt të ri në Lindjen e Mesme, mendja natyrshëm shkon te pozicioni gjeografik i rajonit, vendndodhja strategjike e shteteve dhe furnizimet me energji, të cilat historikisht i kanë çuar shtetet në luftë. Për të krijuar një ide mbi ngjarjet e sotme dhe se si janë zhvilluar ato në të kaluarën, rëndësia e disa tipareve gjeografike të shteteve merr një kthesë në politikën ndërkombëtare me theks në gjeopolitikën e detit. Këtu, është e nevojshme të rishqyrtohen ngushticat gjatë historisë ashtu edhe sot. Luftërat moderne duke filluar nga Lindja e Mesme, Evropa, Azia dhe deri në atë të fundit që po zhvillohet në distancë midis Iranit dhe Izraelit, tregojnë se përveç çështjeve ideologjike, shtetet historikisht kanë hyrë dhe do të hyjnë në luftë edhe për çështje tregtare, pika strategjike, burime natyrore, etj.

Nga një perspektivë historike, në mesjetë, Shtetet Papale, Venediku, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane u përplasën disa herë, dhe ndonjëherë u detyruan të bëjnë marrëveshje për të fillluar beteja të tjera në kohë më të mira. Në kohën tonë, zhvillimet në dhe përreth Iranit janë shembuj të mirë për lexuesit e interesuar në gjeopolitikë. Mund të marrim “Ngushticën e Hormuzit” dhe “Ngushticën e Otrantos”, pasi kanë pasur një rëndësi të veçantë që nga kohërat e lashta. “Ngushtica e Hormuzit”, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian, konsiderohet si një hapëpsirë e madhe për tregtinë dhe naftën. Rëndësia e saj strategjike dhe gjeografike e ka bërë këtë ngushticë shumë tërheqëse për fuqitë ndërkombëtare dhe shtetet rajonale. Përpara se rajoni të merrte formë, Perandoria Sasanide, dhe më vonë e ndjekur nga dy kalifatet, Umajadët dhe Abasidët, dhe nga dinastitë si Bujidët dhe Selxhukët, ushtruan një ndikim të madh në formësimin e gjeopolitikës detare dhe tokësore (Hourani, G. 1995, Arab Seafaring).

Me kalimin e kohës, në dy shekujt e fundit, ngushtica ka fituar rëndësinë e saj të mëparshme për shkak të burimeve të saj të naftës dhe transportit detar. Do të mbetet me rëndësi strategjike për një kohë të gjatë, pavarësisht se si do përfundojë konflikti me Iranin. Ndërsa “Ngushtica e Otrantos”, në mesjetë, ishte një zonë e ndërlikuar midis Perandorisë Osmane, Bizantit, Venedikut dhe Mbretërisë së Sicilisë.

Në mesjetë, rrugët e konfliktit midis Evropës së krishterë dhe Perandorisë Osmane u kryqëzuan disa herë në Otranto. Kështu Beteja e Lepantos (1571) ishte pikërisht një pasqyrim i konfliktit fetar në Adriatik dhe në Mesdhe. “Ngushtica e Otrantos” u transformua në tërësi në një portë hyrëse në fushën tregtare, ekonomike, ushtarake dhe të tjera gjatë shekujve.

Ndërsa në këtë shekull, për shkak të rivaliteteve të shteteve evropiane, aziatike, arabe, SHBA-së, Kinës, etj., ngushtica përsëri ka fituar rëndësi strategjike detare. Ndërsa sot, “Ngushtica e Hormuzit” është më shumë sesa një luftë për të parandaluar Iranin të sigurojë një bombë atomike. Përqëndrimi i forcave, shërben për të siguruar hyrje dhe dalje të lehtë të mallrave dhe naftës nga Lindja e Mesme prej 20-30 përqind (U.S. EIA, 2023). Kështu të dy ngushticat, ose rastet e trajtimit tonë, historikisht janë përdorur për përfitime dhe pazarllëqe me shtete që kanë synuar të mbajnë ngushticat nën kontroll. Gjatë tensioneve të fundit midis Iranit dhe Izraelit, shihet se grumbullimi i trupave ushtarake në “Ngushticën e Hormuzit” do të jetë vendimtar në një luftë të mundshme me Iranin.

Kështu, si “Ngushtica e Hormuzit” dhe “Ngushtica e Otrantos” kanë formësuar gjeopolitikën historikisht, duke ndikuar në tregtinë rajonale dhe ndërkombëtare. Për më tepër, rëndësia e ngushticave në gjeografinë fizike dhe më vonë në gjeopolitikë është trajtuar nga autorë të ndryshëm në shekujt 19 dhe 20. Halford Mackinder (1861-1947), një gjeograf britanik i njohur për teorinë e tij të “Zemrës së tokës”, (Heartland) në veprën e tij të vitit 1904 “Strumbullari gjeografik i historisë”, (The geographical pivot of history) u përqendrua në fuqinë tokësore. Ngushticat janë në përputhje me disa vepra të Mackinder-it që trajtojnë këto tipare gjeografike të shteteve. Sipas tij, “ngushticat janë ekuivalenti detar i portave të ‘Zemrës së tokës’”.

Kontrolli i Hormuzit ose Mallakës, dhe lirisht mund të themi se dikur në mesjetë edhe i Otrantos, pasqyron kontrollin e kufijve të “Zemrës së tokës”. Të dyja rastet, si “Ngushtica e Otrantos” në mesjetë dhe “Ngushtica e Hormuzit” aktualisht përfaqësojnë shembuj të mirë për politikanët dhe lexuesit e sotëm për të identifikuar qendra të tilla, të cilat shërbejnë si burime natyrore dhe shkas për shpërthim të luftërave të reja.

Konflikti që vazhdon midis Izraelit dhe Iranit tregon gjithashtu se të njëjtat karakteristika që i kemi paraqitur në artikullin tonë do të mbeten për një kohë të gjatë si specifika të shteteve në paqe dhe në kohë lufte. Ngushticat detare do të vazhdojnë të mbeten pika kyçe gjeopolitike dhe gjeoekonomike në këtë shekull, duke ndikuar në formulimin e strategjive ekonomike, tregtare, energjetike, ushtarake etj. Ngushticat nga Azia Juglindore, të tilla si “Ngushtica e Mallakës” e deri në Gjibraltar, kanë qenë në fokus të autorëve të tjerë në atë që është quajtur gjeografi strategjike. Ngushticat do të vazhdojnë të jenë pika të nxehta për fuqitë ndërkombëtare, rajonale dhe lokale.

Angazhimi i tyre i plotë për të mbajtur nën kontroll, do të kërkojë zbulime dhe teknologji ushtarake për t’i menaxhuar dhe dominuar ato. Në kontekstin e zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme dhe ndikimit në BE dhe Ballkan, për shkak të mungesës së rritjes së qëndrueshme financiare dhe ekonomike, rajoni ka të ngjarë të përballet me rënie ekonomike, dhe shfaqje të problemeve të reja politike. Historia dhe gjeografia vazhdojnë të mbeten të ndërthurura që nga kohërat e lashta, por gjithmonë me ndërlikime në mbijetesën e shteteve dhe popujve.

Selim Ibraimi

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Related posts

Siguria kibernetike, element kyç në mbrojtjen e secilit shtet

Gazeta Max

Pajisje medicinale që kushton mbi 61 mijë euro donacion nga Turqia për spitalin klinik të Tetovës

Gazeta Max

Doganierët shqiptarë nga 1 Maji me rroga më të larta, rregullohet statusi i tyre

Gazeta Max