GazetaMax
Lajme

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës e pezullon nga detyra kryeministren Shinawatra

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës të martën e pezulloi nga detyra kryeministren e vendit, Paetongtarn Shinawatra në pritje të shqyrtimit të një rasti ku kërkohet shkarkimi i saj, duke ia shtuar trysninë një qeverie që është duke u ballafaquar me sfida në shumë fronte.

Në një deklaratë, Gjykata Kushtetuese tha se kishte pranuar një peticion nga 36 senatorë që e akuzojnë kryeministren për mungesë sinqeriteti dhe shkelje të standardeve etike në kundërshtim me kushtetutën në lidhje me rrjedhjen e një bisede telefonike politikisht të ndjeshme me ish-udhëheqësin me ndikim të Kamboxhias, Hun Sen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria pritet të drejtohet nga një zëvendëskryeministër në kapacitetin e zyrtarit në detyrë, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për rastin kundër kryeministres, e cila do të mbetet në kabinet si ministre e re e Kulturës pas një riformatimi. Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth pezullimit të kryeministres nga detyra.

Telefonata e zbuluar me politikanin kamboxhian veteran nxiti zemërim në Tajlandë dhe e la koalicionin e Shinawatra-s me shumicë të ngushtë, pasi një parti kyçe u largua nga aleanca dhe pritet që së shpejti të kërkojë mocion mosbesimi në Kuvend, përderisa grupet protestuese po bëjnë thirrje që kryeministrja të japë dorëheqje.

Gjatë telefonatës së 15 qershorit, qëllimi i të cilës ishte ulja e tensioneve kufitare që po eskalonin me Kamboxhian, kryeministrja tajlandeze u përkul para Hun Sen-it dhe kritikoi një komandant ushtarak të vendit të saj, vijë e kuqe në një shtet ku ushtria ka ndikim të konsiderueshëm. Ajo ka kërkuar falje dhe ka thënë se komentet e saj kanë qenë taktikë negocimi.

Betejat e zonjës Shinawatra pas vetëm dhjetë muajve në pushtet e nënvizojnë fuqinë në rënie të partisë Pheu Thai, grup popullist i dinastisë miliardëshe të Shinawatra-ve që ka mbizotëruar në zgjedhjet e Tajlandës që nga viti 2001, duke u bërë ballë puçeve ushtarake e vendimeve të gjykatave që kanë rrëzuar disa qeveri e kryeministra.

Related posts

Forcat ukrainase kapin snajperisten serbe që shërbeu si “motër nderi”, përmendet edhe Kosova

Gazeta Max

Rekomandohet që banorët e qyteteve me ajër ekstremisht të ndotur të qëndrojnë në shtëpi

Gazeta Max

Qytetarët të jenë përgjegjës kur i publikojnë të dhënat e tyre

Gazeta Max