Policia dje ka privuar nga liria një “fallxhi” 54-vjeçar nga fshati Trubarevë të Shkupit pas denoncimit nga një çift nga Berova, të cilët në periudhën prej vitit 2022 deri vitin 2025 në disa raste i kanë dhënë para me vlerë prej 5.000 deri 6.000 euro për të prishur magji që gjoja i është bërë ndaj djalit të tyre.
Sipas denoncimit, personi për periudhën e lartpërmendur ka fituar një dobi pasurore të paligjshme prej gjithsej 400.000 eurosh.
Rastin më 3 korrik e ka denoncuar B.D. (76) nga Berova. Ai në SPB Shtip ka denoncuar vepër penale – “mashtrim” sipas nenit 247, paragrafi 4 i Kodit Penal të RMV-së kundër personit D.I. (54) nga fshati Trubarevë, Shkup.
“Konkretisht, sipas denoncuesit, në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025, i denoncuari, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore të paligjshme për veten e tij, e ka mashtruar denoncuesin dhe bashkëshorten e tij M.D. duke paraqitur fakte të rreme, duke u paraqitur si person me aftësi të veçanta paranormale (gjoja “fallxhi”, ekzorcist i shpirtrave dhe magjive), përkatësisht si ‘njeri i Zotit’ i cili ka fuqinë dhe forcën për të zhdukur një magji të keqe që gjoja i është hedhur djalit të tyre dhe që gjoja i ka kërcënuar shëndetin dhe jetën. Për më tepër, në periudhën pothuajse trevjeçare të lartpërmendur, ai i ka bindur të dëmtuarit në disa raste në vende të ndryshme në Shkup dhe Berovë që t’i japin mjete në shumë prej 5.000 deri në 6.000 euro për “ndihmën”, kështu që ai ka fituar një dobi pasurore të paligjshme prej gjithsej 400.000 eurosh për periudhën e lartpërmendur”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Pas pranimit të denoncimit, nëpunës policorë të SPB Shtip, në bashkëpunim me nëpunës policorë të NJPB Berovë, Departamentit të Policisë Kriminalistike dhe SPB Shkup, dhe duke ndjekur udhëzimet e prokurorit publik nga PTHP kompetente në Koçan, menjëherë ndërmorën masa dhe aktivitete për zbardhjen e ngjarjes penalo-juridike, me ç’rast mjetet financiare që i dëmtuari, në përputhje me një marrëveshje paraprake me të denoncuarin, kishte ndërmend t’ia jepte, u përpunuan në mënyrë forenzike.
“Kështu, dje (04.07.) në Berovë, i denoncuari D.I. dhe nëna e tij D.I. (76) nga Trubareva, rajoni i Shkupit, u privuan nga liria, pasi gjatë kontrollit u gjetën 3.000 euro para të gatshme. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tyre në Trubarevë, u gjetën dhe u sekuestruan sende që lidhen me veprën penale ‘mashtrim’””, thuhet në kumtesë.
Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, kundër dy personave të ndaluar u ngrit padi penale për vepër penale të vazhduar “mashtrim” dhe të njëjtit iu dorëzuan gjyqtarit për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore në Koçan.