Presidentja e Ksoovës, Vjosa Osmani raportohet se ka takuar në orët e pasdites kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kërkesën e këtyre të fundit.
Kështu raporton RTV21.
Sipas raportimit, takimet e ndara janë mbajtur në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve të Kosovës, në orët e fundit të një afati kushtetues prej 30 ditësh, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas këtij raportimit, nuk ka pasur një lëvizje të qëndrimeve nga asnjëra palë dhe nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve mes tyre. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Nisma-s Fatmir Limaj nuk i kanë përafruar qëndrimet e tyre rreth çështjes së kryeparlamentarit.
Limaj raportohet ka mbajtur qëndrimin që për zhbllokim të situatës ky post t’i jepet Nisma-s por Kurti ka këmbëngulur se është i interesuar që të ketë bashkëqeverisje me Limajn por jo edhe t’i japë postin e kryeparlamentarit.
Aktualisht LVV ka 56 vota në Kuvend dhe është në kërkim të dy votave të tjera nga komunitetet jo serbe, dhe 3 votave të Nismës, për të bërë një shumicë prej 61 votash. Një seancë e re e Kuvendit pritet të mbahet sonte në ora 22.00 por ka pak shpresa se mund të lëvizin gjërat drejt zhbllokimit.