GazetaMax
Lajme

Emir Sulejmani viziton fshatin Merovë: Zgjedhjet e 19 Tetorit janë referendum për të ardhmen e shqiptarëve

Kandidati për kryetar komune në Zhelinë nga BDI, Emir Sulejmani, sot zhvilloi një vizitë të rëndësishme në fshatin Merovë, një prej vendbanimeve kyçe në komunën e Zhelinës. Gjatë qëndrimit të tij, Sulejmani bashkëbisedoi me banorët e këtij komuniteti, ku diskutuan për sfidat dhe pritshmëritë e tyre lidhur me të ardhmen e Merovës dhe të gjithë komunës.

Në këtë takim, Emir Sulejmani theksoi rëndësinë e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 Tetor, duke i cilësuar ato si një referendum të rëndësishëm për të përcaktuar të ardhmen e shqiptarëve në këtë rajon. Ai u shpreh se koha ka ardhur që qytetarët të marrin fatin e tyre në dorë dhe të vendosin për një drejtim të ri, më të mirë e më perspektivë për brezat e ardhshëm.

“Merova, në zemër të malësisë, është një komunitet i fortë dhe i bashkuar. Rinia dhe burrat e këtij vendi janë të vendosur për të ruajtur dinjitetin, traditat dhe vlerat e tyre, por edhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për fshatin dhe për të gjithë komunën e Zhelinës. Kjo është arsyeja pse këto zgjedhje nuk janë thjesht një proces formal, por një mundësi e artë për ndryshim dhe zhvillim”, tha Sulejmani.

Ai bëri thirrje që gjithë banorët të jenë pjesëmarrës aktiv në këtë proces zgjedhor dhe të mbështesin vizionin e tij për një komunë ku shërbimet publike do të jenë më të mira, infrastruktura do të përmirësohet dhe do të investohet më shumë në arsim dhe zhvillim ekonomik.

Banorët e Merovës mirëpritën kandidatin Sulejmani me entuziazëm dhe ndanë me të shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre. Ata theksuan nevojën për më shumë investime në rrugë, ujësjellës, arsimin lokal dhe krijimin e vendeve të punës, duke shprehur besimin se me një udhëheqje të re dhe të përgjegjshme, këto nevoja do të përmbushen.

Ky takim i kandidatit për kryetar komune nga BDI në Merovë dëshmon angazhimin e tij të sinqertë dhe dëshirën për të qenë zëri i komunitetit në organet vendore të pushtetit, duke u përpjekur për të sjellë ndryshime pozitive që do t’u shërbejnë të gjithëve pa përjashtim.

Në prag të zgjedhjeve, Emir Sulejmani vijon takimet me qytetarët e komunës së Zhelinës, duke mbledhur ide dhe propozime për një plan të qartë dhe të realizueshëm për zhvillimin e komunës. Ai premton punë të palodhshme dhe angazhim maksimal për t’u përgjigjur pritshmërive të banorëve dhe për të ndërtuar një komunë më të fortë, më të pasur dhe më bashkëpunuese.

“Në Merovë dhe në çdo cep të komunës së Zhelinës, ne jemi bashkë për një të ardhme më të mirë!” – përfundoi Sulejmani.

Banorët e Merovës dhe të gjithë komunës së Zhelinës presin me shpresë dhe besim ditën e zgjedhjeve, duke e parë te Emir Sulejmani mundësinë për një ndryshim të vërtetë.

Related posts

Disa lagje të Shkupit sot pa energji elektrike

Gazeta Max

Fetai viziton Kurtin: Na bashkon ideali i përbashkët për progres dhe zhvillim

Gazeta Max

Egzon Kelmendi: Zgjedhjet e 9 shkurtit janë një mundësi për të bërë ndryshimin që na nevojitet

Gazeta Max