GazetaMax
Lajme

Përplasjet me presidentin Maduro, Trump dërgon flotë ushtarake pranë Venezuelës me mijëra marinsa dhe anije luftarake

Presidenti amerikan Donald Trump, ka urdhëruar dislokimin e një force të fuqishme pranë brigjeve të Venezuelës, që përfshin tre anije luftarake me raketa dhe po aq anije të mëdha zbarkimi me helikopterë, ku ndodhen nga 2.200 deri në 4.000 marinsa.

Lëvizja është bërë, sipas Uashingtonit, në kuadër të luftës kundër “trafikut të drogës”, raportuan të mërkurën burime të Reuters dhe AFP. Ky veprim vjen në një moment kur tensionet mes SHBA-së dhe Venezuelës janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të acaruara prej vitesh dhe vendimi i fundit shihet si shtim i presionit të Trump ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Në fillim të gushtit, SHBA dyfishoi në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacione që do të çonin në arrestimin e Maduro-s, i cili akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge”.

Sipas burimeve të Reuters, tre anijet USS San Antonio, USS Iwo Jima dhe USS Fort Lauderdale, me një ekuipazh prej rreth 4.500 ushtarësh amerikanë, përfshirë 2.200 marinsa, pritet të mbërrijnë në rajon që nga e diela.

Krahas tyre, janë urdhëruar të lundrojnë drejt zonës edhe tre shkatërrues të tjerë, USS Gravely, USS Jason Dunham dhe USS Sampson, të pajisur me raketa të drejtuara dhe sistemin mbrojtës Aegis. Në operacion përfshihet edhe një nëndetëse.

Mediat amerikane raportojnë se gjithsej rreth 4.000 marinsa do të vendosen në brigjet pranë Venezuelës. Trump justifikon këtë dislokim me luftën kundër drogës, një argument që e ka përdorur edhe për vendime të tjera që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, nga tarifat doganore ndaj Meksikës dhe Kanadasë deri te fushatat masive të arrestimeve të emigrantëve nga Amerika Latine.

Qeveria amerikane, e cila nuk e njeh fitoren e Nicolás Maduro-s në zgjedhjet presidenciale të korrikut 2024, të kontestuara nga opozita, e akuzon atë si “udhëheqës të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt, e quajti të martën e kaluar qeverinë venezueliane “kartel narkoterrorist”, ndërsa presidentin Maduro “shef të arratisur të këtij karteli”. E pyetur nëse ushtria amerikane mund të ndërhyjë në Venezuelë, ajo theksoi se Trump do të përdorë “të gjitha mjetet” për të “penguar hyrjen e drogës në SHBA”.

Nga ana tjetër, Maduro reagoi duke e cilësuar shpërblimin e vendosur nga SHBA për kapjen e tij si një “fushatë propagandistike të shëmtuar dhe të turpshme”.

Ai shpalli të hënën se do të dislokohen 4,5 milionë pjesëtarë të forcës kombëtare të Venezuelës për të “garantuar mbrojtjen e të gjithë territorit”.

Kjo forcë kombëtare u krijua nga ish-presidenti Hugo Chávez, të cilin Maduro e konsideron udhëheqësin e tij politik. Sipas burimeve zyrtare, ajo numëron rreth 5 milionë anëtarë, qytetarë dhe rezervistë, dhe është nën komandën e shtabit të përgjithshëm ushtarak të vendit.

Related posts

78 milion dollarë nga SHBA për modernizimin dhe zhvillimin e Armatës së Maqedonisë

Gazeta Max

Konjufca: Kërcënimi ka qenë i qartë

Gazeta Max

Bekteshi: Plotësisht jam i fokusuar në krizën energjetike

Gazeta Max