GazetaMax
Lajme

Si më pregatiti babai im që ta takoja mbretin e shqiptarëve

Shkruan: Milazim Krasniqi

Baba e përmendte nganjëherë, megjithëse shumë rrallë, dhe më duket vetëm kur ishim krejt vetëm në shtëpi. Mbretin Zog. Emrin ia thoshte disi shpejt, si për të fshehur diçka. Dhe sikur ta ndiente hutimin tim, ai nuk harronte të thoshte “mreti i Shipnisë”. Fytyrën ia përflakte njëfarë shkëlqimi, kur fliste për mbretin Zog dhe kur tregonte se ai ishte i vetmi burrë që e kishte mashtruar “kralin e Serbisë”.

Rrëfimi i babës gjithnjë ishte i ngatërruar dhe unë nuk e kuptoja se për çka ishte tamam fjala, sepse përzihej Vermoshi, Shën Naumi, Peja e Gjakova, Londoni, Parisi, përziheshin kohët dhe krejt çka më mbetej e qartë në kujtesë ishte figura e Mbretit Zog, “mretit të Shipnisë”, e mjegullt, po në përmasa gjigante, me një buzëqeshje të shtrirë tejpërtej fytyrës.

Baba më kishte treguar se çka është mbreti, megjithëse unë vetëm e përfytyroja një njeri të madh, gati sa Kodra e Arës, hija e të cilit shtrihej në të katër anët dhe e zinte krejt Shegëzën. Babë, a mund ta takoj unë mbretin Zog?- e pata pyetur një natë papritmas. Më saktë, as që e di se si më dolën fjalët. Baba më shikoi me habi, kruajti kokën nën plis dhe tha prerazi:

– Jo. Nuk ke ku e takon as ti dhe askush.
– Pse?
– Mbreti nuk asht as në Shipni s’e le ma. As aty nuk i kanë lanë vend komunistat – tha baba më njëfarë pezmi të çuditshëm.
– Po a është diku?
– Po, biro, po. Mbreti edhe nëse vdes, e ka trashëgim¬tarin. Po nuk kemi si ta takojmë ne, o bir!
– Dini më ka thënë se Enver Hoxha është kryetar i Shqipninë- i thashë me zë të dridhshëm.
– Kryetar po, ama ai është komunist e nuk ka hajr prej tij. Mreti i duhet Shipnisë. Baba pinte duhan me kamish. Hoqi plisin dhe e vuri në gjurin e majtë, e lëmoi plisin me dorë si të ishte plisi një lidhje e fshehtë e tij me shpresën për kthimin e mbretit në fronin e Shqipërisë. Dhe nuk foli më.

Pas shumë e shumë vitesh nga ajo natë dimri, derisa Le¬ka i Parë, Mbret i Shqiptarëve, po priste t’u përgjigjej pyetjeve të mia në një intervistë, të cilën ia merrja në vigjilje të festës sonë kombëtare, ai përfytyrim fëmijërie, po më bezdiste. Mbreti pinte duhan dhe shikonte diku në skaj të sallonit, ndërsa fytyra e tij ruante qetësinë vër¬tet mbretërore.

Unë po i vonoja pyetjen, sepse pamja e “mretit të Ship¬nisë”, ajo pamje e imagjinuar në fëmijëri, në ato përmasa të papara, nxirrte kokë në përfytyrimin tim real e më bllokonte gojën. Edhe zëri i prajshëm i babës tek përsëriste fjalët

“Po nuk kemi si ta takojmë, o bir!”, më dukej se më dilte nga veshët dhe e mbushte hapësirën e sallonit me një ajër më të ngrohtë.

Pastaj biseda me mbretin rrodhi krejt e qetë. Zëri i prajshëm i tij, fjalët e thëna me ndërprerje, si për t’i matur sa më mirë (pa e hequr asnjëherë shikimin nga një pi¬kë në skaj të sallonit), arritën të më nxirrnin disi nga atmosfera e kujtimeve dhe e përfytyrimeve të fëmijërisë. Brengat e mbretit për fatet e kombit tonë, edhe pse të thëna me fjalë disi të buta dhe me një zë të ulët, si të druajtur, nguliteshin në ndërgjegjen time, në një formë gati materiale.

Fytyra ime në ato çaste nuk mund ta kishte atë krenarinë që e vëreja në fytyrën e babës, sa herë që rrëfente për Mretin Zog, “mretin e Shipnisë”, sepse unë isha para mbretit, e jo para përfytyrimit për Mbretin. Ah, po të ishte gjallë baba!

Si do t’ia kujtoja pyetjet e mia dhe përgjigjet e tij të dikurshme për takimin tim me mbretin! Në të vërtetë, baba më paskësh përgatitur shpirtërisht ta kërkoja mbretin e Shqipërisë.

(Fragment nga romani im me titull “Fotografitë e kujtimeve”, 2003)

Related posts

Editorial: ASH, drejtë një reforme të thellë, apo fundosje! / Edhe Alternativa ka përçarjet e veta!

Gazeta Max

LSDM kërkon seancë të jashtëzakonshme në qytetin e Shkupit për ajrin e ndotur, VMRO refuzon

Gazeta Max

Rexhepi: 117 milionë eurot e transferuara në “Bechtel & Enka” janë për fazën përgatitore të punimeve

Gazeta Max