Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se qytetarët e Tetovës por edhe shqiptarët jashtë saj janë të bindur se kryetari aktual i Tetovës Bilall Kasami do të rizgjidhet edhe për një mandat. Në një intervistë për VOXAL, ai tha se Kasami gjatë gjithë mandatit ka qenë në terren dhe e meriton rizgjedhjen.
“Për çdo ditë kryetari Kasami ka qenë në terren, çdo projekt e ka realizuar dhe për 4 vite mandat ka realizuar më shumë se sa ka premtuar në fillim të mandatit. Ka bërë shumë më shumë punë dhe do e shihni edhe në zgjedhje që qytetarët do t’i japin mbështetje përsëri që të menaxhon edhe për 4 vitet e ardhshme”, tha Durmishi.
Opozita është buzë shpërbërjes dhe me të drejtë i trajton zgjedhjet lokale si referendum për ta, thotë Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në një intervistë për VOXAL. Ai tha se BDI-ja pas 20 vitesh pushtet qendror dhe lokal, sillet sikur është përmbysur bota tani që është në opozitë.
“Unë me një gjë pajtohem me opozitën: po, këto zgjedhje janë referendum për ta. Ata janë buzë shpërbërjes. E shihni se si i trajtojnë zgjedhjet. Për herë të parë janë në opozitë dhe sikur është përmbysur bota. I trajtojnë sikur të jenë referendum, ndërsa realiteti është se për 20 vite e patën edhe pushtetin qendror, edhe pushtetin lokal dhe i lanë vendbanimet shqiptare pa ujë, pa rrugë, pa kanalizim dhe pa infrastrukturë”, tha ministri Durmishi.
Ai thotë se VLEN në këto zgjedhje ofron ofertë për zhvillimin e komunave dhe nuk i trajton ato si luftë mbijetese politike.
“Për ne, beteja në këto zgjedhje nuk është mbijetesa politike, por është zhvillimi i komunave. Kemi kandidatët më të mirë për kryetarë komunash dhe përveç platformës, përveç programit të cilin e ofrojmë, kemi pasur kryetarë komunash të cilët kanë menaxhuar me komunat shqiptare dhe janë të dëshmuar”, theksoi Durmishi.