Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me banorët e Teneqe Mahallës, ku është pritur ngrohtësisht dhe miqësisht. Ai theksoi se ky bashkëbisedim ishte dëshmi e vizionit të qytetarëve për zhvillimin dhe dinjitetin e lagjes dhe të tërë komunës.
“Teneqe Mahalla e Çairit na priti ngrohtësisht e miqësisht, ashtu siç dinë vetëm qytetarët e saj. Ky bashkëbisedim ishte një dëshmi se Çairi ka njerëz vizionarë, të cilët kërkojnë zhvillim dhe dinjitet për lagjen e tyre dhe për tërë komunën,” shkroi Mexhiti.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar projektet e realizuara dhe ato që pritet të vihen në jetë, por mbi të gjitha është dëgjuar zëri i qytetarëve.
“Së bashku diskutuam për projektet e realizuara dhe për ato që na presin përpara. Por mbi të gjitha, dëgjuam zërin e qytetarëve, idetë, shqetësimet dhe vizionin e tyre për një Çair që i ngjan energjisë dhe vitalitetit të tyre,” theksoi ai.
Sipas kandidatit të VLEN-it, takime të tilla janë forca e vërtetë e politikës, sepse ndërtohen mbi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Takime të tilla të drejtpërdrejta janë forca jonë, sepse politika e vërtetë ndërtohet mbi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve,” nënvizoi Mexhiti.
Në përfundim, ai theksoi vizionin për një Çair që ecën me hapin e qytetarëve.
“Këto diskutime e forcojnë edhe më shumë vizionin tonë për Çairin: një komunë që ecën me hapin e qytetarëve, që dëgjon, punon dhe ndryshon. Sepse e ardhmja e Çairit ndërtohet këtu, me njerëzit e saj,” deklaroi ai.