Në Çair, afër shtatores së Skënderbeut, u zhvillua sot turneu i Counter-Strike 2 (CS2).
“Përveç vend i historisë, Çairi është në hap edhe me zhvillimet teknologjike. Ngase Çairi është diamant”, u shpreh Izet Mexhiti gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se sportet elektronike janë tepër joshëse në mbarë botën dhe tashmë nuk janë vetëm hobi, por edhe profesion. Ky turne, sipas tij, u organizua pas kërkesës së madhe të të rinjve, me synimin që prej tij të themelohet klubi i parë i Çairit në sportet elektronike.
“Normalisht mbështetja e Komunës së Çairit nuk do të mungojë, sepse Çairi ka shumë talente, disa prej tyre tashmë janë shfaqur edhe në gara ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Më tej Mexhiti shtoi:
“Përmes këtij klubi do t’u japim mundësinë që të na përfaqësojnë edhe më fuqishëm në arenën botërore. Jemi afër rinisë, sepse jemi me rininë, e cila na frymëzon për punë të mira. Po ashtu, dua të theksoj se do ta mbështes themelimin e klubit të CS 2.0 në Çair, i cili do të bëhet një pikë referimi për të gjithë të rinjtë e pasionuar pas këtij sporti.”