‘Rasti Mbappe’ – Kina refuzon kërkimfaljen e Real Madridit dhe bllokon transmetimet e La Ligës

Kriza mes Kinës dhe futbollit spanjoll po thellohet. Televizioni shtetëror kinez ka konfirmuar se nuk do të transmetojë ndeshjet e La Liga-s, duke refuzuar shpjegimet e Real Madrid-it për polemikën e shkaktuar nga Kylian Mbappe.

Për autoritetet mediatike kineze, fjalët e sulmuesit francez e tejkalojnë kufirin e lirisë së shprehjes, ndërsa klubi madrilen nuk mund të shmangë përgjegjësinë për deklaratat e lojtarit të tij.

Një zëdhënës i Qendrës së Sportit dhe Rinisë pranë Grupit Mediatik të Kinës (CMG) bëri të qartë se nuk e pranon qëndrimin e atribuuar Real Madrid-it, sipas të cilit Mbappe nuk kishte qëllim të ofendonte askënd dhe kishte të drejtë të shprehte mendimet e tij personale.

Vendimi për pezullimin e transmetimeve ishte marrë më 26 tetor. Masa përfshin ndeshjet e La Liga-s, përmbajtjet që lidhen me Mbappe-n dhe reklamat e tij.

Pavarësisht reagimeve dhe kërkesave për të zbutur situatën, pala kineze këmbëngul se pa një kërkimfalje të kënaqshme nga Real Madrid-i, nuk ka vend për diskutime të mëtejshme.

Gjithçka nisi nga një meme për Mao Ce Dun-in

Polemika shpërtheu pasi Mbappe u pyet në një intervistë për memen e tij të preferuar. Sulmuesi francez u përgjigj se më shumë ishte argëtuar me një montazh ku fytyra e tij vendosej mbi atë të një diktatori kinez. Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Mao Ce Dun-in, ish-udhëheqësin e Kinës, imazhi që qarkullon në mediat sociale lidhet pikërisht me të.

Deklaratat shkaktuan reagime të forta në vendin aziatik. Komunikata e CMG-së pretendon se fjalët e futbollistit kanë ofenduar popullin kinez dhe kanë kaluar kufij themelorë, duke theksuar se Real Madrid-i nuk mund të distancohet nga përgjegjësia që lidhet me lojtarin e tij.

Pasojat nuk u kufizuan vetëm te transmetimet sportive. Më 27 tetor, disa kompani kineze, mes tyre “Dongpeng”, “Mengniu” dhe “Milkground”, ndërprenë marrëveshjet e tyre tregtare me Mbappe-n. Gjithashtu, përmbajtjet që lidhen me futbollistin francez u përballën me kufizime në platformat digjitale kineze.

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ndërhyri për të zbutur krizën, duke i dërguar një letër CMG-së, ku dënoi sjelljen e futbollistit dhe kërkoi falje për ofendimin e shkaktuar.

La Liga publikoi gjithashtu një deklaratë zyrtare, ku shprehu keqardhje për komentet e Mbappe-s dhe kërkoi falje në emër të institucionit dhe klubeve të kampionatit.

Megjithatë, pala kineze kërkoi që faljet të vinin publikisht dhe me shkrim nga La Liga, Real Madrid-i dhe veçanërisht vetë Mbappe.

Sulmuesi francez publikoi më pas një mesazh ku shprehu keqardhje për fjalët e tij dhe respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij. Por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar qëndrimin e televizionit shtetëror.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Tebas u takua gjithashtu me ambasadorin kinez në Spanjë, Yao Jing. Çështja ka rëndësi të veçantë edhe për shkak të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit mes futbollit spanjoll dhe atij kinez, ku përfshihet një marrëveshje strategjike me ligën profesioniste kineze, e vlefshme deri në vitin 2029.