GazetaMax
Lajme

Alarm për zjarr në avionin e Ryanair, 18 të plagosur gjatë evakuimit në Majorka

Të paktën 18 persona u plagosën në aeroportin e Palmës në Majorka të Spanjës gjatë evakuimit nga një Boeing 737 i kompanisë Ryanair, që po përgatitej për t’u nisur.

Sipas informacioneve të para, në bord u raportua për një zjarr të mundshëm, që më pas rezultoi i pavërtetë. Avioni ishte drejtuar për në Mançester dhe gjithçka ndodhi në mbrëmjen e vonë të 4 korrikut, sipas raportimit të mediave.

Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon dhjetëra pasagjerë që largohen nga avioni duke kërcyer nga njëra prej krahëve, që ndodhej rreth 3 metra mbi tokë.

Disa prej tyre u lënduan sapo prekën tokën. Në raste evakuimi emergjent, zakonisht fryhen të gjitha rrëshqitëset e shpëtimit në daljet e avionit. Nuk është ende e qartë pse vetëm njëra prej tyre ajo në derën e përparme të majtë ishte në funksion.

“Një fluturim nga Palma për në Mançester ndërpreu ngritjen për shkak të ndezjes gabimisht të një drite alarmi për zjarr. Pasagjerët u evakuuan duke përdorur rrëshqitëset fryrëse dhe u rikthyen në terminal. Gjatë zbarkimit, një numër i vogël udhëtarësh pësuan lëndime të lehta dhe ekuipazhi kërkoi ndihmë mjekësore menjëherë. Më tej, për të minimizuar shqetësimet për pasagjerët, ne siguruam shpejt një avion zëvendësues për të kryer fluturimin, i cili u nis nga Palma në orën 07:05 të mëngjesit të së shtunës. Kërkojmë ndjesë të sinqerta pasagjerëve të përfshirë për çdo shqetësim të shkaktuar”, tha kompania ajrore në një deklaratë.

Fluturimi i Ryanair 3446 ishte planifikuar të nisej nga Palma në orën 22:50. Nga 18 personat e plagosur, gjashtë u dërguan në spital.

Related posts

Osmani paralajmëron intensifikimin e bisedave për përkrahje të ndryshimeve kushtetuese

Gazeta Max

Komisioni për Financa dhe Buxhet, nis shqyrtimi i amendamenteve

Gazeta Max

Deputetja Ajdari me urim për nxënësit dhe mësimdhënësit

Gazeta Max