GazetaMax
Lajme

Aliu: Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përballet me mungesë të punonjësve

Shkup, 27 janar – Gjatë skriningut, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP) u vlerësua për punën tonë të deritanishme, por është shprehur shqetësim që edhe ne e ndajmë për mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme personale të Agjencisë për t’u përballur me sfidat e reja, veçanërisht me Ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deklaroi sot drejtori i AMDHP-së, Imer Aliu, në shënimin e 28 janarit – Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

“Kjo situatë e vështirëson edhe më shumë faktin se punonjësit po ikin nga ne, sepse sektori privat, për shkak të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, duke e ditur se duhet të respektojë, ka nevojë për punë profesionale, u ofron punonjësve tanë paga dyfish e trefish më të larta nga ajo që i marrin për momentin në Agjenci. Kjo fatkeqësisht po ndodh. Në pesë vitet e fundit janë larguar tetë nga punonjësit. Ndoshta për disa nuk është një numër i madh, por për Agjencinë është rreth 30 deri në 40 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Sigurisht që kjo na e vështirëson punën”, thotë drejtori i Agjencisë.

AMDHP ka hartuar ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në fushën e pavarësisë financiare dhe të personelit të Agjencisë, në mënyrë që të mos kërkohet pëlqimi për punësim nga Ministria e Financave apo pëlqimi për sistemim nga institucionet e tjera (MSHIA), por që Agjencia të vendosë vetë. Propozimi është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Kuvend, por Aliu thotë se nuk ka përgjigje.

Lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Aliu thotë se është i mirë, por është evidente se ne si shoqëri dhe si institucione duhet të punojmë shumë më tepër për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e të dhënave personale.

Qeveria, me Rregulloren e Punës, thekson ai, është e obliguar të kërkojë mendimin tonë për ligjet e reja të propozuara që janë duke u miratuar dhe që përmbajnë dispozita për mbrojtjen e të dhënave personale.

Drejtori i AMDHP-së Aliu thotë se numri i ankesave ndaj tyre nga qytetarët për keqpërdorim të të dhënave personale është vazhdimisht në rritje.

Në tre muajt e ardhshëm Agjencia do të punojë në hartimin e një strategjie të re dhjetëvjeçare për mbrojtjen e të dhënave personale.

Me rastin e 28 janarit – Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, sot në “Shtëpinë Evropiane” u mbajt konferenca “Së bashku për mbrojtjen e të dhënave personale”, organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend, Fondacioni “Metamorfozis”, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qendra për Kërkime dhe Analiza Ligjore.

Shtefen Hudolin, shef i departamentit për bashkëpunim pranë Delegacionit të BE-së në vend, theksoi nevojën e zbatimit të plotë të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke ofruar burime adekuate dhe punësim adekuat si në Agjenci ashtu edhe në institucione. Sipas tij, është e nevojshme që ligji të zbatohet në të gjithë sektorët dhe të përfshihet Agjencia, si dhe në rregulloren zgjedhore. Puna e Agjencisë dhe zbatimi i legjislacionit në kuadër të negociatave të ardhshme me BE-në është pjesë e Kapitullit 23.

Fondacioni Metamorfozis për Internet dhe Shoqëri, përmes Organizatës Civile Konekt, po zbaton një projekt për Mbrojtjen Teknike dhe të Integruar të të Dhënave Personale – duke ndërtuar një ekosistem digjital gjithëpërfshirës.

Nga data 1 shkurt, Qendra për Kërkime dhe Analiza Juridike, së bashku me Juristët e Rinj dhe Agjencinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë, do të zbatojnë projektin “Drejtësia efektive për mbrojtjen e lirive themelore dhe privatësisë së njerëzve në hapësirën onlajn”.

Më 28 janar shënohet përvjetori i miratimit të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dokumenti i parë ligjërisht i detyrueshëm ndërkombëtar në fushën e të dhënave personale

Related posts

Nesër pa energji elektrike disa pjesë të Karposhit dhe Sonjes së Epërme

Gazeta Max

Në kontroll policor janë konstatuar 42 sanksione për autobusë që transportojnë nxënës

Gazeta Max

Nesër mblidhet Këshilli i Sigurimit

Gazeta Max