GazetaMax
Lajme

ATU ka hapur fri-shop të ri në Aeroportin në Shkup

Shkup, 23 dhjetor – Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit sot është hapur dyqani i ri pa doganë i ATU-s në një sipërfaqe prej mbi 350 metra katrorë, për të cilin drejtori i kompanisë Ersan Arxhak theksoi se bëhet fjalë për një investim prej pothuajse gjysmë milioni euro, qëllimi i të cilit është të plotësojë përvojën e udhëtarëve gjatë udhëtimit.

“Sot, ATU paraqet brend global që punon në fushën e dyqaneve pa doganë në të gjithë botën. E marrim forcën tonë nga partneriteti me “TAV Aeroporte”, operatori i aeroportit që përfaqëson një nga liderët globalë në operimet e aeroporteve dhe së bashku me operatorët më të mëdhenj pa doganë në Evropë menaxhojmë me sukses dyqanet pa doganë në aeroportet në Shkup dhe Ohër. Jemi të lumtur që me investimet tona dhe dyqanet e zgjeruara në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, po kontribuojmë në zhvillimin e turizmit në Maqedoninë e Veriut”, tha Arxhak.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në hapjen e fri-shopit, theksoi se investimi i ri ngre nivelin e shërbimeve më moderne për udhëtarët në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

“Hyrja e kompanisë “ATU Djuti fri” këtu në Aeroportin ndërkombëtar “Shkupi” është një përfitim tjetër për të gjithë qytetarët, që e rrit edhe më shumë konkurrencën me aeroportet në të gjithë rajonin. Aeroporti ndërkombëtar “Shkupi” është pika e parë e kontaktit për turistët që vijnë për të vizituar vendin tonë dhe pikërisht për këtë mirëpres çdo përmirësim të kushteve të aeroportit dhe çdo vazhdimësi të përmirësimit të objekteve”, theksoi Boçvarski.

Ministri theksoi se Qeveria tregon një përkushtim të fortë për zhvillimin e trafikut ajror në vend pikërisht me qëllim të sigurimit të një niveli më të lartë të cilësisë së shërbimeve dhe destinacione të reja për qytetarët.

Ministri përkujtoi se vetëm pak ditë më parë shpallën thirrjen publike për subvencionimin e linjave të reja ajrore, me çka, siç theksoi, i jep një shtysë të fortë zhvillimit të trafikut ajror.

Boçvarski shtoi se për vitin 2023 nga Buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve janë paraparë mbi 1.1 milionë euro pikërisht për këtë qëllim.

Metin Batak, drejtor i përgjithshëm i “TAV Maqedoni” theksoi se “ATU Djuti fri” është e pranishme në tregun maqedonas dhe në aeroportet e Maqedonisë që nga viti 2010.

“Si TAV dhe si ATU, që punojmë në kuadër të grupacionit “TAV Aeroporte”, morëm vendim që Aeroportit të Shkupit i nevojitet një dyqan i ri pa taksa, i cili shpresojmë se do të pasurohet me marka të reja. E gjithë kjo ka për qëllim krijimin e përvojave të reja për udhëtarët tanë. Sot shohim frytin e gjithë punës dhe bashkëpunimit që është bërë dhe përfunduar deri më sot dhe dyqani i ri i pa doganë duket vërtet i mrekullueshëm. Shpresojmë që udhëtarët tanë të ndajnë të njëjtin mendim me ne, veçanërisht kur të shohin shumëllojshmërinë e produkteve dhe të gjithë gamën që ofrohet”, theksoi Batak.

Ai theksoi se beson se ATU do të sigurojë përfitime dhe do t’i shtojë vlerë përvojës së udhëtarëve gjatë udhëtimit në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

“Kënaqësia e klientëve është një nga qëllimet tona kryesore drejt të cilave synojmë”, përfundoi Batak

Related posts

Aksident i rëndë në Gjorçe Petrov, përplaset për vdekje një person

Gazetamax.mk

Sistemi TIMS në Kapshticë dhe Qafë Thanë me probleme

Gazetamax.mk

BFI: Sivjet do të organizohet Haxhi

Gazetamax.mk