GazetaMax
Lajme

Bislimovski: Konsumatorët që kursejnë energji elektrike, do të kenë ulje të shpenzimeve

Shkup, 20 dhjetor – Do të dërgojmë një sinjal të qartë për konsumatorët që kursejnë, se do të kenë ulje të shpenzimeve të energjisë elektrike, tha për MIA-n, Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit, Marko Bislimoski, pas mbledhjes së 53-të të Bordit të Rregullatorëve të Komunitetit Energjitik që u mbajt në Athinë.

Në takimin e kryesuar nga personi i parë i KRE-së, u diskutuan masat në sektorin e energjisë që ndërmerren nga të gjitha vendet anëtare të Komunitetit Energjitik për të siguruar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike dhe gaz natyror.

Në bisedë me korrespondenten e MIA-s në Athinë, Bislimoski përcjell konkluzionet e diskutimit, por flet edhe për vendimin që duhet të merret javën e ardhshme në nivel kombëtar për çmimin e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, duke përsëritur qëndrimin e tij se ai personalisht është kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Besoj se me vendimet tona që ndoshta do të merren në mesin e javës së ardhshme, do t’i kushtojmë vëmendjen më të madhe konsumatorëve të vegjël, të cilët, po, kanë pasur rritje të kostove në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe shohim se ky është problemi më i madh për ta, këto janë kompanitë që punësojnë pjesën më të madhe të popullsisë në vend dhe ne duam të relaksojmë situatën me ta për sa i përket kostos së energjisë elektrike dhe ndoshta do të kemi një ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike atje. Gjithashtu, nuk pres ndonjë ndryshim serioz për amvisëritë, sepse çmimi i energjisë elektrike tashmë është rritur disa herë për amvisëritë, dhe është korrekte që pasi shteti ka ndihmuar deri më tani me subvencionet përkatëse, e njëjta është paralajmëruar edhe për vitin e ardhshëm, tashmë amvisëritë të jenë në gjendje pak më të relaksuar sa i përket çmimit të rrymës”, thotë Bislimoski për MIA-n.

Ai sqaron se në këtë moment ESM ka dorëzuar ofertat e saj tek EVN Home për furnizuesin universal të energjisë elektrike, tek “Elektrodistribucia” për çmimin për humbjet e energjisë elektrike.

“Deri në fund të kësaj jave ose të hënën do të dorëzojë ofertën e çmimit për humbjet në rrjetin e transmisionit. Siç e theksova edhe para disa muajsh, jam kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke qenë se kur ka qenë e nevojshme Komisioni Rregullator i Energjetikës ka rritur çmimin e energjisë elektrike si për amvisëritë ashtu edhe për konsumatorët e vegjël dhe ky është viti kur kemi rritje të ndjeshme të prodhimit vendor të energjisë elektrike”, theksoi kryetari i KRE-së dhe shtoi se kur të ndizet termocentrali i Negotinës, për rreth 25 për qind, do të relaksohet situata sa i përket varësisë nga importi për nevojat e konsumatorëve të vegjël.

Njëkohësisht ai thekson se vazhdon koncepti i aplikimit të blloqeve tarifore, i cili tashmë është futur në gjithnjë e më shumë vende, ai funksionon dhe aplikohet.

“Kështu që, edhe një herë do të dërgojmë një sinjal të qartë për konsumatorët që kursejnë se do të kenë ulje të kostove të energjisë elektrike. Aty ku kemi konsum ekstrem, sigurisht që do të paguajnë më shumë, siç kanë paguar në vitet e kaluara”, tha Bislimoski.

Lidhur me seancën e rregullt të Bordit të Rregullatorëve të Komunitetit Energjitik, ai tha se “të gjitha vendet po përballen me probleme me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit natyror, si dhe çmimit të energjisë termike”, dhe se disa vende kanë probleme më të vogla.

“Por në thelb, një gjë është e përbashkët për të gjithë, që vendet që janë të varura nga importi si për energjinë elektrike, ashtu edhe për gazin natyror, i rrisin çmimet e tyre, sepse nuk mund të ndikojnë në të, si dhe vendet që ishin të orientuara drejt eksportit, siç ishte Bosnja, ku për herë të parë që nga fillimi i krizës, kemi rritje të çmimit në pjesën e një pjese të Bosnjë e Hercegovinës në Republikën Srpska”, sqaroi kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

Ai përmendi Moldavinë dhe Kosovën si shembuj të problemeve në vendet e tjera.

Në Moldavi për shkak të uljes së furnizimit të gazit natyror nga Gazprom, ndërsa për Kosovën, ai shpjegoi se organi i tyre rregullator po përballet me kërkesën e organeve qeveritare për uljen e pagave të tyre, prandaj rreth 20 për qind e të punësuarve tashmë po largohen nga ky organ rregullator.

“Kjo paraqet problem serioz për të gjitha organet rregullatore dhe në fakt në raportin aktual të Komunitetit të Energjetikës është vënë në dukje edhe për Maqedoninë e Veriut se procedurat e punësimit si organ rregullator duhet të jenë plotësisht të pavarura në lidhje me mënyrën se si kryhen procedurat e punësimit në pjesën tjetër të administratës. Ajo që kemi arritur është se pavarësia financiare e organeve rregullatore në periudhën e ardhshme, në vendet e rajonit, duhet të përmirësohet dhe për këtë do të kemi mbështetje të plotë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjetikës dhe nga një organ rregullator pranë nivelit të Bashkimit Evropian, dhe sigurisht që kemi përkrahje të plotë dhe nga Komisioni Evropian”, shpjegon Bislimoski për MIA-n.

Në dhjetor të vitit 2019, në mbledhjen e atëhershme të rregullt, kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRE) u zgjodh unanimisht Kryetar i Bordit të Rregullatorëve të Komunitetit të Energjietikës, ndërsa nëntorin e kaluar mori mandatin e dytë dyvjeçar.

Takimet e komunitetit energjetik mbahen tradicionalisht në Athinë, ku përveç Maqedonisë së Veriut, vende-anëtare janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.

Related posts

Taravari pritet nga Taulant Balla dhe grupi parlamentarë i PS

Gazetamax.mk

Vrasja e kushëririt në Viti, 71 vjet burg për të akuzuarit

Gazetamax.mk

Dita e tretë e protestës në Shqipëri, qytetarët para kryeministrisë renditin kërkesat

Gazetamax.mk