GazetaMax
Lajme

Bujar Bajrami godet ashpër Taravarin: “Është pjesë e një skenari për të degraduar spektrin politik shqiptar”

Në një reagim të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë, Bujar Bajrami, anëtar i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, ka akuzuar Arben Taravarin se është pjesë e një skenari të organizuar për të dëmtuar rëndë spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Bajrami hodhi poshtë çdo justifikim që qarkullon në opinion lidhur me largimin e Taravarit nga koalicioni opozitar VLEN, duke e cilësuar atë si një “çirak që punon për ustain, vetëm për interes personal”.

“As mos t’ju shkojë mendja që Taravari është shkëputur nga VLEN-i sepse ai donte të bëhej parti më vete, apo sepse nuk e lejonin të garonte me lista të ndara, apo se Mickoski i kontrollonte – këto janë brroçkulla,” – shkruan Bajrami.

Sipas tij, Taravari nuk ka vepruar nga parime politike apo morale, por është pjesë e një strategjie të qëllimshme për të prishur dhe tjetërsuar partitë shqiptare, në një moment kur uniteti politik shqiptar është më i nevojshëm se kurrë.

“Taravari është pjesë e një skenari për të degraduar, prishur dhe tjetërsuar spektrin politik shqiptar. Ai është një çirak që punon për ustain por duke parë vetëm interesin e vet. Kjo përveç arsyeve shtesë që lidhen me disa ‘afera’ të dyshimta me furnizimet publike, ku u kap me presh në duar,” – thekson Bajrami në reagimin e tij.

Ai paralajmëron se pas përfundimit të zgjedhjeve, publiku do të jetë dëshmitar i “serialit të ri të Taravarit”, ku sipas tij, Taravari do të vijojë të veprojë sipas instruksioneve të dhëna nga “enkllavat maqedone”, duke e mbajtur veten larg jo vetëm nga Fronti por edhe nga BDI-ja, në varësi të interesave të ditës.

“Njëra palë do të tentojë të kontrollojë opozitën te shqiptarët, kurse pala tjetër do të tentojë të kontrollojë tërë spektrin politik shqiptar,” – shton ai, duke nënkuptuar një lojë të madhe politike prapa prishjes së bashkëpunimeve aktuale në skenën shqiptare.

Në fund, Bajrami bën thirrje që askush të mos i jep peshë veprimeve të fundit të Taravarit duke i cilësuar si “veprime të mëdha morale apo politike”, pasi sipas tij, kjo do të thotë t’i jepet jetë dhe imunitet parazitëve të politikës shqiptare.

Ky reagim vjen në një moment kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është përfshirë nga përçarje të thella brenda opozitës dhe pikëpyetje të shumta për rolin e Arben Taravarit dhe drejtimin që do të marrë pas zgjedhjeve të ardhshme. Reagime të tilla si ai i Bajramit sinjalizojnë tensionim të marrëdhënieve brenda ish-koalicionit VLEN, dhe shpalosin hapur ndarjen mes krahut të Ziadin Selës dhe atij të Taravarit.

Related posts

Spasovski dhe Bërnz në stërvitje operative-taktike të MPB-së dhe ambasadës së SHBA-së

Gazeta Max

Bytyqi – Loson: Mbretëria e Bashkuar është një partner i besueshëm në zhvillimin e vendit

Gazeta Max

Sali: Ligji i ri për shëndetësi nuk do t’i detyrojë qytetarët të vaksinohen por…

Gazeta Max