GazetaMax
Lajme

Bujar Osmani: Çairi ka nevojë për rregull, plan dhe kujdes për çdo familje

Në një takim të zhvilluar në shtëpinë e familjes Demiri, kandidati për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka diskutuar hapur me banorët për sfidat e mëdha me të cilat përballet komuna.

Osmani theksoi se qytetarët e Çairit janë të lodhur nga kaosi urban, mungesa e rendit dhe pamundësia e komunës për të funksionuar në shërbim të njerëzve. “Banorët kërkojnë një Çair që u shërben atyre, që ka plan dhe vizion, jo një komunë që prodhon vetëm problem pas problemi,” tha ai.

Sipas Osmanit, zgjidhja për të ardhmen e Çairit qëndron tek një vizion i përbashkët, ku secili qytetar ndjehet pjesë e vendimmarrjes dhe zhvillimit. “Vizioni ynë për një Çair të ri ndërtohet bashkë. Ne synojmë një komunë me rregull, me shërbime cilësore dhe me kujdes për çdo familje. Çairi meriton të kthehet në një hapësirë ku mbizotëron funksionaliteti, solidariteti dhe mirëqenia,” u shpreh ai.

Takimi me familjen Demiri u vlerësua nga Osmani si dëshmi e interesit dhe shqetësimit të banorëve për fatin e komunës. Ai paralajmëroi se ky dialog me qytetarët do të vazhdojë në çdo lagje dhe shtëpi, deri sa vizioni i një Çairi të ri të shndërrohet në realitet.

Osmani përfundoi se beson fuqishëm në energjinë dhe vullnetin e banorëve për ndryshim, duke theksuar se përpjekjet e përbashkëta janë çelësi për t’i dhënë fund gjendjes aktuale të kaosit urban dhe mungesës së rendit.

Related posts

Korridoret 8 dhe 10D/ Rexhepi: Opozita bën obstruksione të vazhdueshme

Gazeta Max

Një shtetas grek ka vdekur në një kazino në Gjevgjeli

Gazeta Max

Jansha: Propozova që udhëtimi në Kiev të ishte sekret, por europianët nuk ishin dakord

Gazeta Max