Xhevahire Arapi nga Durrësi ka denoncuar në emisionin Tak Fak në Neës 24 se komshiu në katin poshtë, ka ndërtuar një objekt pa leje ngjitur me murin e ballkonit të saj.
“Jam banuese në pallatin tetë katësh, lagjja numër 6, të rrugës Juxhin Guza. Komshiu poshtë në katin e parë ka ndërtuar një objekt, punon në biznesin e vet bashkë me gruan, ku qepin dhe bëjnë rrjeta peshku. Kur ishim në Itali së bashku me bashkëshortin tim se e kam pasur shumë të sëmurë nga zemra, im shoq i tha se çfarë ke bërë kështu, pse ke ndërtuar, kush ta ka dhënë lejen. Burri do shkojë prapë në Itali, se i bllokohet frymëmarrja, tha dua ta gjej të prishur atë ndërtim pa leje. Ai tha se do e prish, por sa të rris fëmijët. Fëmijët iu rritën, njërin çun e ka në Amerikë, tjetrin në Francë. IMT i tha se do ia prishë dhe këtë pjesë, nëse ankohesha unë. IMT tha se do prishin një ndërtim të madh në plazh dhe sa të prishin atë, do e prishin dhe këtë. Mirëpo nuk erdhën ta prishin këtë ndërtim pa leje. Ardian i thashë, Kujtimi im vdiq, do e prishësh atë ndërtim pa leje. Unë kam frikë të flej. Në vend m’i halle, e prish unë ndërtimin tha”, tha Xhavahire Arapi.
Ky objekt pa leje është kthyer në mollë sherri mes shtetases Xhavahire Arapi dhe shtetasit Ardian Turku.
“Do më lësh objektin pa leje dhe dy vite më tha se do të paguaj muaj për muaj nga 500 mijë. M’u duk e çuditshme. Kurrë i thashë, do haj atë pak pension që kam i thashë. Unë po pres që ky ndërtim pa leje të prishet, se shtëpia po më prishet. Kudo jam ankuar dhe kërrkush nuk ka marrë masa. Dua të bëhet shembull. Shtëpinë ma ka bërë djali me djersë balli dhe nuk po e gëzoj”, tha zonja Xhevahire. Ajo shtoi se në zonë vjen era peshk, një aromë tepër e keqe.
Pasi zonja Xhevahire Arapi në Durrës u ankua se “nipi” i kishte ndërtuar një ndërtim pa leje ngjitur me banesën e saj, emisioni Tak-Fak ka komunikuar me celular me zotin Ardian Turku. Ai bisedoi me gazetaren e Tak-Fak, Anxhelën, si dhe denoncuesen, Xhevahire Arapin.
Ardian Turku: Unë atë objekt e kam bërë para 20 vitesh me lejen e komshies, që unë i them halla.
Xhevahire Arapi: Nuk është e vërtetë, je duke rrejt. Ke folur me Kujtimin dhe të tha mos e bëj. E ndërtove se korruptove kryetarin me lekë dhe nënkryetarin e komunës, edhe IMT. Një pjesë u prish dhe një pjesë nuk u prish se je i korruptuar mor hajdut. S’të vjen turp. Më the që të të jap 500 mijë ma lër ndërtimin pa leje dhe dy vjet, a ma the apo jo?
Ardian Turku: Xhevahirja më tha ndërtoje objektin Ardian. Unë e kam futur në proces legalizimi, i kam letrat në shtëpi. E ka dhe hipoteka, unë t’i tregoj të gjitha letrat.
Xhevahire Arapi: E ke mbështet ndërtimin pa leje te muri im, do e heqësh ose unë do e tërheq vetë me forcën time. Po deshe me qep rrjeta peshku, merr dyqan me qira, e paguaji taksat shtetit. Më the do e prish, je mashtrues, ordiner, i korruptuar.
Ardian Turku: Nesër hajde tek shtëpia ime dhe të jap letrat.
Xhevahire Arapi: Ai nuk e ndërtoi kur ne ishim këtu.
Sipas Xhevahires, një përfaqësues i autoriteteve, që ajo e përshkruan si nëndrejtor, ka ndërhyrë dhe i ka kërkuar komshiut dokumentat për ndërtimin, por ky i fundit ka pohuar se nuk i kishte ato në atë moment. Pas kësaj, ndihma e autoriteteve ka qenë e fokusuar në kërkesën për prishjen e pjesës së ndërtimit që nuk kishte leje, ndërsa për pjesën tjetër të objektit, komshiu ka kërkuar që ta mbante.
“Nëndrejtori një pjesë të shtëpisë e ka prishur, kam qënë në dritare në momentin kur ka ndodhur dhe i ka kërkuar atij dokumentat. Komshiu tha se nuk i kishte prezente ato .Ai ka kërkuar prishjen e objektit në një pjesë, ndërsa pjesën e mbetur ka kërkuar që ta marrë.” tha ajo
Ndërkohë Drejtori i IKMT Durrës, Dorian Mema, ka deklaruar se aktualisht janë duke pritur një përgjigje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) lidhur me klasifikimin e objektit.
Sipas Memës, informacionet e mëtejshme do të varen nga përgjigjja që do të vijë nga ASHK, dhe kjo do të përcaktojë hapat e ardhshëm.
Ai ka theksuar se përgjigja nga ASHK është vendimtare për të përcaktuar se si do të procedohet më tej dhe nëse do të ketë ndonjë mundësi për legalizimin e objektit, nëse është i mundur, ose nëse do të ndërhyhet për të prishur ndërtimin e paligjshëm.
“Jemi në dijeni të problemit. Ne po presin një përgjigje nga ASHK për klasifikimin e objektit dhe më tepër duhet të kemi një kërkesë. ” tha ai.