GazetaMax
Lajme

Dështon për herë të 42-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe të shtunën, me gjithë aktgjykimin e gjykatës më të lartë të vendit që i detyron ata të formojnë institucionin ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Vazhdimi i seancës konstituive – që u mbajt në vonesë në mbrëmje pas një alarmi të rremë për bombë – zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të hënën, më 5 korrik.

Kjo është hera e 42-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Për dallim nga grumbullimet e kaluara, në takimin e sotëm të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Ky dështim i radhës vjen pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdaljeje dhe paralajmërimeve të saj se do të ketë pasoja juridike nëse nuk bëhet Kuvendi deri më 26 korrik.

Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.

Osmani tha se do t’i drejtohet gjykatës nëse deputetët s’e formojnë institucionin ligjvënës së shpejti.

Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.

Ato e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse” dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të vijë me një emër tjetër.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje nuk ka hequr dorë, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve dhe se Haxhiu është kandidate meritore.

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po soset.

Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se problemi kryesor i moskonstituimit është politik dhe jo kushtetues.

Ai theksoi se përgjegjësinë e mbajnë të gjitha partitë, por më së shumti partia fituese në zgjedhjet parlamentare – Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 20 ditësh, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Related posts

Publikohet raporti për COVID-19, kaq të infektuar

Gazeta Max

10 vjet FIZHT/ Halili: Të hapur ndaj risive dhe ndryshimeve

Gazeta Max

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacione

Gazeta Max