Drejtori Hamza Ameti viziton strehimoren në Mumin Potok, paralajmëron rritjen e kapaciteteve për personat në nevojë

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Shkup, Hamza Ameti, së bashku me dr. Sait Saitin, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka vizituar hapësirat për strehimin e personave të pastrehë në Mumin Potok, ku aktualisht janë të strehuar 30 persona.

Gjatë vizitës, Ameti është njohur nga afër me kushtet dhe kapacitetet e strehimores, si dhe me nevojat e personave që përfitojnë nga kjo formë e mbështetjes sociale.

Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me Kryqin e Kuq synohet rritja e kapaciteteve të strehimores, me qëllim që ndihma dhe mbështetja të përfshijë një numër më të madh të personave në nevojë.

Angazhimi i përbashkët i institucioneve synon forcimin e mbështetjes sociale, promovimin e solidaritetit dhe krijimin e kushteve më të mira për personat që përballen me vështirësi sociale dhe mungesë strehimi.

Ameti theksoi se angazhimi për një shoqëri më humane dhe me solidaritet më të madh do të vazhdojë, duke vënë në fokus mbështetjen e kategorive më të cenueshme të shoqërisë.