Dy studentë krijojnë faqe interneti për të ndihmuar refugjatët ukrainas

Dy studentë të Universitetit të Harvardit përdorën aftësitë e tyre të kodimit për të krijuar një faqe interneti që ndihmon refugjatët ukrainas të gjejnë strehim në vende të ndryshme në gjithë botën. Objektivi i tyre ishte të lidhnin refugjatët me mikpritës të mundshëm, duke siguruar një vend për të qëndruar përkohësisht. Deri tani janë regjistruar 18 mijë vetë të gatshëm për të ofruar strehim.

Studentët Marco Burstein dhe Avi Schiffmann thonë se faqja UkraineTakeShelter.com është një platformë e pavarur që ata e krijuan brenda tri ditësh për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas. Indinjata mbi agresionin rus ishte shtysa për nismën e tyre megjithëse ata vetë jetojnë në pjesë të ndryshme të vendit dhe në anën tjetër të botës nga Ukraina, thotë 18 vjeçari Marco.

“Falë teknologjisë dhe përmes internetit, menduam se do të ishim në gjendje të jepnim kontributin tonë. Kemi mikpritës në pothuajse çdo vend që mund të imagjinohet: Nga Hungaria, Rumania dhe Polonia, Kanadaja në Australi. Jemi mrekulluar me të vërtetë nga përgjigja. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjitha familjeve pritëse që kanë ndihmuar”, thotë Marco.

Në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, një tren sjell njerëz u shpëtuan sulmeve ruse duke shkuar në pjesë të tjera të vendit. Të afërmit e shqetësuar janë gati t’i përshëndesin dhe t’i ndihmojnë.

Avi Schiffmann thotë se i lindi ideja për një faqe të tillë për herë të parë, kur mori pjesë para disa javësh në një protestë në San Diego në mbështetje të Ukrainës. 19 vjeçari që ka marrë leje për një semestër universiteti për të punuar me disa projekte dhe që aktualisht është në Majami, thotë se ishte i bindur që një platformë e tillë e madhe publike do të funksiononte, pasi kishte krijuar një nga faqet e para të internetit për gjurmimin e koronavirusit.

“Ukraine Take Shelter’ e kthen vendim-marrjen në duart e refugjatëve, pasi atë mund të marrin iniciativën, të gjejnë listat e pritësve dhe t’i kontaktojnë ata vetë në vend që të presin në të ftohtin e dimrit në rrugët e Evropës Lindore për disa organizata që t’i sistemojnë,” thotë Avi.

Kriza humanitare në Ukrainë po bën jehonë në Nynashamn, një destinacion i njohur veror suedez që ndodhet një orë larg kryeqytetit, Stokholm. Një traget polak shkarkon kamionë dhe pasagjerë, përfshirë refugjatë ukrainas. Refugjatët priten nga vullnetarë që u ofrojnë informacione dhe paisje jetike falas përpara se ata të dërgohen në banesat ku do të strehohen.

Shtetasi suedez Rickard Mijarov jeton pak më shumë se dy orë e gjysmë me makinë larg stacionit të tragetit me gruan e tij, dy refugjate ukrainase dhe macen e tyre.

Ai donte të ndihmonte ukrainasit që iknin nga vendi dhe rastësisht gjeti faqen “Ukraine Take Shelter” dhe u regjistrua.

“Të nesërmen në mëngjes, gjeta një mesazh nga Oksana, që pyeste nëse kishim vend për të, vajzën e saj dhe macen e tyre”, thotë ai.

45-vjeçarja Oksana Frantseva që tani strehohet në shtëpinë e Rickardit bashkë me vajzën 18-vjeçare dhe macen e 8-vjeçare, thotë se u befasua nga përgjigjia e shpejtë. Faqja është krijuar në një mënyrë të tillë që të përdoret me lehtësi nga refugjatët dhe mikpritësit e tyre.

“Synimi ynë ishte ta bënim përdorimin sa më të thjeshtë dhe të sigurt. Së pari, për sa i përket lehtësisë së përdorimit, ne sigurohemi që refugjatët sapo të shkruajnë vendndodhjen, të fillojnë të shohin rezultate sepse, nëse janë në një situatë urgjente, ne duam të kenë një zgjidhje sa më efikase që të jetë e mundur. Për familjet strehuese, ne ofrojmë mundësi që ata të shtojnë detaje në informacionin që japin, përfshirë rregullat e etiketës dhe gjuhët që flasin”, thotë Marco.

Faqja e internetit inkurajon gjithashtu refugjatët që t’u kërkojnë pritësve të mundshëm që të japin emrat e plotë, profilet e mediave sociale, informacione për çdo kufizim për fëmijët dhe të kërkojnë video-telefonatë ose foto të vendit ku do të qëndrojnë, me kë do të qëndrojnë dhe informacion për zonën përreth.

“Ne kemi një udhëzues të detajuar që ua japim të gjithë refugjatëve për t’i ndihmuar ata të verifikojnë familjen mikpritëse, të sigurohen që personi me të cilin flasin në telefon është i njëjti me të cilin po takohen personalisht. Kemi gjithashtu një sistem raportimi të detajuar për të çregjistruar njerëzit e papërshtatshëm”, shpjegon Marco.

Mbështetja për viktimat e luftës së Vladimir Putin kundër Ukrainës është e thellë në shkallë globale, përfshirë Harvardin, ku janë studentë bashkëthemeluesit e UkraineTakeShelter.com.

Ata thonë se kanë pasur mbështetje dhe ndihmë përfshirë nga vullnetarë nga e gjithë bota që ndihmojnë me përkthime, me verifikimin e përvojës së përdoruesit, me sigurinë kibernetike.

Megjithatë, studentët po përballojnë vetë kostot e projektit, i cili është falas për përdoruesit. Ata nuk nxjerrin asnjë fitim. Avi Schiffmann thotë se ka shpenzuar 5000 dollarë për projektin deri tani. Ata po shikojnë mënyra të reja për të financuar faqen e internetit përfshirë regjistrrimin e e saj si organizatë jofitimprurëse. Por kostoja nuk e ka penguar Avi Schiffmanin të bëjë plane për të zgjeruar faqen e internetit. Ai po fton organizatat bamirëse që kanë verifikuar shtëpi të gatshme për të pritur refugjatë për t’i regjistruar ato në “Ukraine Take Shelter”.

Po ashtu ai po shqyrton mundësinë të bashkëpunojë me pjesëmarrës në Airbnb dhe Vrbo për t’i nxjerrë në faqen e tyre strehimet që duan t’i ofrojnë falas për refugjatët.

Në rendin e ditës për Rickard Mijatovin për të ndihmuar Oksana Frantsevën është procedura për statusin e saj të imigracionit në Suedi. Por a ishte ai nervoz kur u ofroi strehim ukrainasve të panjohur që kërkonin ndihmë?

“Sigurisht, pak nervoz. Është hera e parë që po bëjmë diçka të tillë. Por janë njerëz shumë të mirë. Pra, gjithçka po shkon mirë”, thotë ai./VOA

Të fundit në përqindje