​Efekti Ronaldinho, ja sa përfitoi financiarisht Ravenna nga paraqitja e brazilianit në fushë

Rikthimi i legjendës braziliane Ronaldinho në fushën e futbollit ka rezultuar një sukses i madh financiar për klubin italian Ravenna, i cili ka arkëtuar 199 mijë euro vetëm nga shitja e biletave për ndeshjen ndaj Forlì-t në Serie C.

Takimi i zhvilluar të dielën, më 15 nëntor, në stadiumin “Stadio Benelli”, u shndërrua në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe mediave nga vende të ndryshme të botës.

Sipas klubit, në stadium ishin të pranishëm 6 mijë e 743 spektatorë, ndërsa të hyrat nga biletat arritën në 199 mijë euro.

Interesimi i madh bëri që stadiumi të zgjerohej për këtë rast, me vendosjen e një tribune të përkohshme, e cila u emërtua “Tribuna R10”, në nder të ish-yllit të Barcelonës dhe kombëtares së Brazilit.

Çmimet e biletave ishin më të larta se zakonisht, duke arritur deri në 150 euro për sektorin e mikpritjes. Megjithatë, kishte edhe bileta me çmime më të përballueshme, duke filluar nga 15 euro për mbajtësit e biletave sezonale dhe 10 euro për fëmijët nën moshën 14-vjeçare.

Ronaldinho, i cili tashmë është 46-vjeçar, e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe luajti gjatë gjithë pjesës së parë. Në pushim, ai përshëndeti tifozët e pranishëm, në atë që mund të ketë qenë një tjetër paraqitje e tij e fundit në fushën e futbollit.

Kështu, prania e një prej futbollistëve më të njohur të gjeneratës së tij i dha Ravenës jo vetëm vëmendje ndërkombëtare, por edhe një përfitim të konsiderueshëm financiar përmes shitjes së biletave.

Burimi: botasot.info