GazetaMax
Ballina

Finlandezët nuk i frikësohen Rusisë: Jemi të përgatitur për luftë

Nëse frika më e madhe e Evropës bëhet realitet, pra skenari që lufta në Ukrainë të përhapet në shtetet tjera fqinje të Rusisë, atëherë Finlanda do të jetë e gatshme dhe e përgatitur edhe për këtë skenar.

Më saktë, Finlanda ka rezerva të produkteve më të domosdoshme: ka rezerva të karburanteve dhe të drithërave për së paku gjashtë muaj, ndërsa kompanive farmaceutike u kërkohet që të kenë rezerva të të gjitha barnave të importuara për një periudhë prej 3 deri në 10 muaj.

Vendi ka edhe mbrojtje civile. Të gjitha ndërtesat e mëdha duhet të kenë strehimoret e tyre bërthamore dhe pjesa tjetër e popullsisë mund të përdorë parkingje nëntokësore, sheshe patinazhi dhe pishina që janë gati për t’u shndërruar në qendra evakuimi.

Dhe ka edhe luftëtarë. Pothuajse një e treta e popullsisë së rritur e këtij vendi nordik janë rezervistë, që do të thotë se Finlanda mund të përdorë një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, në raport me madhësinë e popullatës së saj.

“Ne kemi përgatitur shoqërinë tonë dhe jemi trajnuar për këtë situatë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Titi Tupurinen, ministri i Finlandës për BE. Pas tetë dekadash, fillimisht nën hijen e Bashkimit Sovjetik dhe tani Rusisë, rreziku i luftës në Evropë nuk i ka befasuar aspak finlandezët.

Por ajo që Finlanda e quan strategji të saj të “sigurisë gjithëpërfshirëse” është një shembull se si të gjitha vendet mund të krijojnë sisteme rigoroze për shoqëritë e tyre për t’u mbrojtur paraprakisht jo vetëm nga konfliktet e mundshme me një vend tjetër, por edhe nga fatkeqësitë natyrore, sulmet kibernetike ose pandemitë.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gatishmërinë ushtarake, por edhe për tu siguruar që ligjet dhe rregullat të funksionojnë në kohë krize.

Finlanda ka krijuar një rrjet joformal që ndërthurrë elitat e botës politike, të biznesit dhe organizatave joqeveritare për t’u përgatitur për më të keqen. Shteti vëzhgon vazhdimisht se cilat janë dobësitë kryesore të këtij rrjeti dhe përpiqet t’i korrigjojë ato në mënyrë që të krijojë sa më shumë elasticitet në sistem përpara se të ndodhë kriza.

Me kufirin e saj prej 1.340 km të përbashkët me Rusinë, Finlanda është shumë e ndjeshme ndaj sulmeve dhe për herë të parë në historinë e saj, shumica e finlandezëve mbështesin aplikimin për anëtarësim në NATO.

Por vendi me 5.5 milionë banorë sheh gjithashtu nevojën për të ruajtur dhe avancuar strategjinë e tij kombëtare.

“Duke pasur parasysh pozicionin tonë gjeostrategjik, masën e madhe të tokës dhe popullsinë e rrallë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin. Ne stërvitemi rregullisht në disa nivele për t’u siguruar që të gjithë të dinë se çfarë të bëjnë – dhe rezultati përfundimtar është që ju mund ta transformoni këtë shoqëri në një regjim krize nëse është e nevojshme”, thotë Tupurinen. Pjesa më e madhe e gatishmërisë së finlandezëve buron nga lufta e tyre me Moskën, Lufta e Dimrit të madh në vitet 1939-1940.

“Nuk e kemi harruar, është në ADN-në tonë”, thotë presidenti Sauli Ninisto, duke treguar sondazhet që tregojnë se rreth tre e katërta e finlandezëve janë gati të luftojnë për vendin e tyre.
Finlanda ka një forcë luftarake prej rreth 280.000 ushtarë dhe 900,000 rezervistë të trajnuar. Edhe pas përfundimit të Luftës së Dimrit, ata vazhduan të rekrutojnë të gjithë meshkujt që kishin përfunduar shkollimin dhe Helsinki shpenzoi shuma të mëdha parash në fushën e mbrojtjes edhe gjatë viteve 90-ta dhe pas vitit 2000, kur të tjerët reduktuan shpenzimet në këtë fushë.

Nëse shërbimi i inteligjencës ushtarake do të zbulonin se po përgatitet një sulm i mundshëm, forcat do të mobilizoheshin dhe civilët do të evakuoheshin nga zonat e rrezikshme, gjë që ndryshon shumë nga ajo që ndodhi në Ukrainë.

“Ne përpiqemi të sigurojmë që shoqëria jonë të jetë e fortë dhe e aftë për të përballuar kohët e vështira. Gatishmëria dhe aftësia janë të rrënjosura thellë në mendjet finlandeze,” thotë Ninisto.Katër herë në vit, një grup prej dhjetëra politikanësh, drejtues biznesi dhe përfaqësues të kishës, mediave dhe OJQ-ve takohen për kurset e mbrojtjes kombëtare, një program intensiv njëmujor që përfshin ligjerata nga oficerë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë qeveritarë, si dhe një simulim krize.

Gjithsej 10.000 njerëz janë trajnuar në kurse të tilla në gjashtë dekadat e fundit, dhe 60.000 të tjerë kanë ndjekur kurse rajonale të mbrojtjes. Salonius-Pasternak, një ekspert sigurie në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, shton se kurset janë ndoshta elementi më i lehtë i qasjes finlandeze që vendet e tjera mund ta imitojnë me lehtësi.Finlanda nuk është e fokusuar vetëm në kërcënimin e luftës, por edhe në forma të tjera sulmesh – qoftë lokale, të tilla si helmimi i burimeve të ujit ose çaktivizimi i termocentraleve, ose kombëtare, si sulmet kibernetike, me një fokus në rritje në të ashtuquajturat kërcënime hibride.

Helsinki gjithmonë është përpjekur për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Rusinë për shkak të kufirit të saj të gjatë të përbashkët, por kjo shpresë tani është thyer.

Pas Luftës së Dimrit, pozicioni i Finlandës e detyroi atë të pranonte neutralitetin për të mbajtur larg Bashkimin Sovjetik, por pas anëtarësimit në BE në vitin 1995 dhe afrimit të NATO-s në dekadat e fundit, ka një ndjenjë në rritje në Helsinki se anëtarësimi në Aleancë do të forconte statusin e saj të pavarur.

Related posts

Dëgjojeni ” Malli për nanën” projekti më i ri nga Manuel Ukaj

Gazetamax.mk

Don Xhoni paralajmëron këngën e re “Crypto”

Gazetamax.mk

15 presidente në të gjithë botën, Vjosa Osmani më e reja

Gazetamax.mk