Me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit 2025, kandidati i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Dollnenit, Flamur Gjoleka, ka përcjellë urimet e tij për qytetarët dhe ka bërë thirrje për një proces të qetë dhe demokratik.
Gjoleka u bëri apel të gjithë qytetarëve dhe përkrahësve që fushata të zhvillohet me maturitet, qetësi dhe sinqeritet maksimal, duke dëshmuar respekt të ndërsjellë deri në përfundim të saj.
“Besoj fuqishëm se vetëm përmes bashkëpunimit dhe unitetit mund të ndërtojmë një Komunë Dollneni më të mirë, ku secili qytetar do të ndihet i përfaqësuar dhe i vlerësuar”, theksoi kandidati i AKI-së.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e tij, të cilët me përkushtim e mirëkuptim po e mbështesin në këtë rrugëtim politik.
Flamur Gjoleka garon për mandatin e parë si kryetar i Komunës së Dollnenit, me vizionin për zhvillim të qëndrueshëm dhe përfaqësim të barabartë për të gjithë qytetarët.
I njohur si një personalitet i angazhuar në jetën shoqërore e publike, Gjoleka ka ndërtuar besimin e qytetarëve përmes punës së tij të palodhur dhe përkushtimit ndaj komunitetit. Kandidatura e tij mbështetet në idenë e një Dollneni modern, me infrastrukturë funksionale, shërbime cilësore dhe mundësi të reja për të rinjtë.
Në programin e tij, Flamur Gjoleka thekson rëndësinë e zhvillimit të bujqësisë si shtyllë kryesore e ekonomisë lokale, përmirësimin e kushteve në arsim e shëndetësi, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike që do ta bëjnë Dollnenin më të gjallë dhe më tërheqës për jetesë.
“Qëllimi ynë është që Dollneni të mos mbetet prapa, por të bëhet një komunë e zhvilluar dhe funksionale, ku qytetarët ndihen krenarë të jetojnë e të investojnë”, ka deklaruar Gjoleka gjatë prezantimit të tij.
Me përkrahjen e koalicionit AKI, ai synon të sjellë një qeverisje transparente dhe bashkëpunuese, duke e vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimmarrjeje.