GazetaMax
Lajme

Kërkohet pension minimal prej 20 mijë denarë

Shkup, 10 nëntor – Pensionistët në Maqedoni me pensionet e shtatorit fituan rritje prej 6.8 për qind. Kjo nënkupton që një pensionist me pension prej 12 mijë denarë, ka fituar rritje prej 816 denarë. Rritja po realizohet sipas metodologjisë së re të miratuar në muajin mars. Sipas saj, harmonizimi i pensioneve do të realizohet në muajt mars dhe shtator. Me rritjen e fundit, në rast se pensioni mesatar në muajin korrik ishte 16.348 denarë, tani me harmonizimin e fundit, pensioni mesatar arriti në 17.422 denarë apo është rritur në mesatare për 1.074 denarë më shumë. Kohë më parë, Qeveria dhe pensionistët ranë dakord që pensionet të përshtaten me lëvizjen e indeksit të kostos së jetesës në masën 50 për qind dhe rritjen e pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në masën 50 për qind. Me ndryshimin e dispozitave ligjore në pjesën e harmonizimit të pensioneve parashikohet që të ketë rritje të pensioneve në bazë të rritjes së kostos së jetesës dhe në bazë të rritjes së pagave.

Gjithashtu edhe indeksi i harxhimeve të jetesës në muajin tetor të vitit është rritur për 19.8 për qind, në raport me muajin tetor të vitit të kaluar. Andaj edhe kjo rritje nuk ju bën punë pensionistëve për shkak të rritjes së madhe të harxhimeve të jetesës, si dhe kostos se vjen e në rritje të ushqimeve, transportit, ngrohjes, etj. Bile të dhënat tregojnë se para rritjes së fundit të të ardhurave mujore të moshës së tretë për muajin gusht, gati një e treta apo afër 92 mijë pensionistë kanë pasur pensione më të vogla se 200 euro apo 11.500 denarë, dhe prej 11.501 denarë deri 18 mijë denarë kanë pranuar 135.860 pensionistë. Për më tepër nga mbi 330 mijë pensionistë vend gati dy të tretat apo 70 për qind marrin pensione deri në 18 mijë denarë. Kjo do të thotë se pensionistët janë në pritje të rritjes së re të pensioneve , që sa do pak do të zbusë pasojat e mëdha të shtrenjtimeve të jetesës.

Ministrja Jovanka Trençevska thotë se për kërkesë për caktimin e pensionit minimal do të bisedohet në vitin e ardhshëm, ngjashëm me atë siç kemi tani pagë minimale. “Në mbledhjen kur e sajuam modelin për harmonizimin pensioneve, biseduam me përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve se po, është koha që në vitin 2023 të fillojmë diskutimet për një sistem pensioni minimal siç kemi dhe për një pagë minimale, por sa do të jetë kjo shumë, do të varet nga analizat që duhet të realizohen si dhe të dialogut me Shoqatën e Pensionistëve. Pra, është koha të mendohet për pension minimal”, thekson Trençevska. Sipas saj, me harmonizimin në janar prej 2.9 për qind dhe atë të fundit prej afër 6.8 për qind, pensionet janë rritur për dhjetë për qind, që asnjëherë nuk ka ndodhur në periudhën e kaluar. Njëherësh shtoi se harmonizimi i radhës do të jetë në muajin mars të vitit të kaluar. Njëherësh shton se nuk është zgjidhe , rritja lineare e pensioneve e për 2000, 3000 apo 5000 denarë, sepse kjo nuk zgjidh problemin e harmonizimit në mënyrë të përhershme. Kërkohet një zgjidhje sistemore që japin rezultate në periudha afatshkurtra dhe afatgjate.

Nga ana tjetër, njohësit e kësaj problematike thonë se edhe rritjet e parashikuara ligjore të pensioneve , sërish nuk mundësojnë një pleqësi me dinjitet të pensionistëve, për shkak se ato me pensione më të ulëta ,marrin sërish më pak në raport me ato me pensione më të larta që sërish marrin më shumë. Kjo krijon një hendek të madhe, andaj edhe nevojitet që rritja të merr si bazë shumën e pensioneve dhe jo për përqindjen, thotë ish kryetari I Lidhjes së Pensionistëve, Dragi Argirovski. “Nevojitet që pensionet më të vogla tu afrohen atyre më të larta, që mund të arrihet me shpërndarjen më të drejtë të mjeteve nga Fondi Pensional. Apo nevojitet nivelizimi i tyre, që të mos lejohet një dallim kaq i madh në pensioneve nga 12300 denarë deri 64 mijë denarë”, shton Argirovski. Nga ana tjetër, nga kujton Instituti Ekonomik “Finance Think” , zgjidhja e fundit për rritjen e pensioneve, nuk është e re dhe ajo ka ekzistuar para shfuqizimit në vitin 2019 , ndërsa shtojnë se ndryshimi i propozuar është vetëm një riformulim i një zgjidhjeje që ka qenë më parë në fuqi. Ata shtojnë se harmonizimi i pensioneve është korrekt, për shkak nuk prish rrugën e stabilizimit të Fondit Pensional të nisur pas vitit 2019 dhe siguron një ruajtje të denjë të standardit të jetesës së pensionistëve.

Megjithatë, Finance Think thekson se Formula e harmonizimit 50:50 që po realizohet tani është e njëjta formulë që ekzistonte në Ligjin referencë deri në vitin 2018, prandaj ajo nuk është një risi në sistemin e financimit të pensioneve. Me ndryshimet në ligjin referues në dhjetor 2019, u vendos një dispozitë sipas së cilës në rast të rritjes së pagës minimale më të madhe se 15 për qind dhe pagës mesatare më të madhe se 5 për qind, mund të realizohet harmonizimi shtesë i pensioneve në një përqindje jo më të lartë se rritja mesatare e pagës. Duke marrë parasysh se rritja e pagës mesatare në vitet e kaluara e tejkalonte shifrën prej 5 për qind ky qëndrim mundësoi harmonizim adekuat të pensioneve edhe me rritjen e pagës mesatare. Andaj, ndryshimi i propozuar është vetëm një riformulim i zgjidhjes së financimit të pensioneve që është aktualisht në fuqi.

Ndryshe, me pagesën e pensionit të shtatorit, harmonizimi i të gjithë pensioneve është 6.8 për qind. Kështu, rritja e pensionit është bazë për harmonizimin e radhës së ë pensioneve. Harmonizimi i pensioneve prej 6.8 për qind përcaktohet si më poshtë: Rritja e indeksit të kostos së jetesës për periudhën janar – qershor 2022 , krahasuar me koston e jetesës në periudhën korrik – dhjetor 2021, është 6.9 për qind , dhe 50 për qind e kësaj rritje është 3.5 për qind. Rritja e pagave mesatare të të gjithë punonjësve për të njëjtën periudhë është 6.6 për qind, ndërsa 50 për qind e kësaj rritje është 3.3 për qind . Rritja totale në të dyja bazat është 6.8 për qind.

Related posts

Hulumtim: “Propozimi francez” i papranueshëm për 57 për qind të qytetarëve të anketuar

Gazetamax.mk

Ish presidenti Moisiu dhe Bekim Jashari prezent në festat e nëntorit në Tetovë, Kasami u ndanë mirënjohje (Foto)

Gazetamax.mk

Panair rajonal “Bukuritë e rajonit Sharr – Korab – Koritnik”

Gazetamax.mk