Deklarata e Përbashkët e Ministrave të Jashtëm të G7-s dhe deklaratat e tjera përkatëse shpërfillin faktet, ngatërrojnë të drejtën me të gabuarën, hedhin baltë ndaj Kinës dhe ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës. Kështu u shpreh në një konferencë shtypi të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, lidhur me përmbajtjet mbi Kinën në deklaratën e përbashkët të publikuar së fundmi nga G7-a. Mao tha se pala kineze shpreh pakënaqësinë e vet të fortë dhe kundërshtimin e vendosur dhe u ka paraqitur demarsh serioz vendeve përkatëse.
“Dua të theksoj që çështja e Tajvanit është në thelb të interesave thelbësore të Kinës dhe në të nuk lejohet asnjë ndërhyrje e huaj. Situata aktuale në Detin e Kinës Jugore është përgjithësisht e qëndrueshme dhe nuk ka asnjë problem me lirinë e lundrimit dhe të fluturimit. G7-a duhet të ndalojë nxitjen e telasheve dhe provokimin e mosmarrëveshjeve. Kina ka promovuar gjithmonë në mënyrë aktive paqen e dialogun për çështjen e Ukrainës dhe nuk ka ofruar kurrë armë vdekjeprurëse për ndonjë palë në konflikt. Kina nuk do ta pranojë që G7-a t’ua hedhë fajin të tjerëve,” u shpreh Mao.
Sipas saj, Kina i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor, ndjek me vendosmëri një politikë të mbrojtjes kombëtare me karakter mbrojtës dhe i ka ruajtur gjithmonë forcat e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare. Shpenzimet e mbrojtjes së Kinës janë të nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe interesat e zhvillimit dhe janë të hapura, transparente, të arsyeshme dhe të moderuara.
I ashtuquajturi “mbikapacitet i Kinës” është provuar si një pohim i rremë, theksoi më tej zëdhënësja e diplomacisë kineze, duke shtuar që vendet anëtare të G7-s duhet të ndalojnë politizimin dhe përdorimin si armë të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, si edhe minimin e rendit ekonomik ndërkombëtar dhe të qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të prodhimit e të furnizimit.