Beograd, 15 nëntor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski të enjten më 17 nëntor në Beograd do të marrë pjesë në Konferencën rajonale “Mundësitë për investime në burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor”.
Në Konferencën e organizuar nga ambasadat norvegjeze në Beograd dhe Sarajevë, në bashkëpunim me Aleancën Ekonomike Nordike, Asociacionin e Biznesit Norvegji-BeH dhe partnerët për bashkëpunim në fushën e energjetikës, do të marrin pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Konferencën do ta hapin presidenti serb Vuçiq dhe zëvendësministri i Energjetikës dhe i dërguari special i kryeministrit të Norvegjisë për energjetikë, Andreas Eriksen.
“Rasti është të paraqesim zgjidhjet për burimet e rinovueshme të energjisë – profilet e tyre në lidhje me teknologjitë e tjera dhe të shpjegojmë se si ato mund të përshtaten në tablonë më të gjerë të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e atij tranzicioni të gjelbër. Gjithashtu do të ishte interesante për norvegjezët të dëgjojnë se çfarë kushtesh të favorshme për investime ekzistojnë këtu, tha sot ambasadori norvegjez në Beograd, Jern Gjelshtad për Euronjuz Serbia.
Ai theksoi se në Konferencë do të ketë edhe një panel financimi dhe zhvillimi, ku do të ketë investitorë financiarë ndërkombëtarë, që do të hapet nga ministri norvegjez i financave.
“Jam shumë optimist dhe kjo mund të rrisë ndërgjegjësimin dhe angazhimin dhe shpresoj se energjia do të jetë një pjesë e madhe e agjendës dypalëshe mes vendeve tona dhe Ballkanit Perëndimor. Dua gjithashtu të theksoj se kjo konferencë, e cila do të sjellë së bashku liderët nga rajoni në temën e energjisë dhe klimës, do të rezultojë në një kuptim më të mirë se si energjia mund të përdoret si një shtytës i një rajoni më të fortë me më shumë bashkëpunim, me më shumë integrim dhe më shumë besim. Energjia është diçka që i intereson të gjithëve dhe është një sfidë e përbashkët para nesh, tha ambasadori norvegjez.
Ai kujtoi se për ta bërë rajonin nordik plotësisht të qëndrueshëm, Këshilli i Ministrave Nordik themeloi “Projektin e Gjelbër Nordik”, duke shtuar se dihet se vendet nordike kanë bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha, por edhe solidaritet me vendet e tjera.
Gjelshtad shtoi se patjetër duhet të merren masa të caktuara, sepse dimri do të jetë jashtëzakonisht i vështirë, por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrohen interesat afatmesme dhe afatgjata – mbi të gjitha një mjedis i shëndetshëm jetese.