GazetaMax
Lajme

Ligji për nëpunësit administrativ do të eleminojë punësimet partiake

Shkup, 1 Maj – Shumica e punësuarve në administratë janë konsideruar si militantë partiak, pasi ekzistonte perceptimi se punësohen nga partia ‘amë’, dhe kjo nuk është veç perceptim, por edhe një realitet i hidhur. Për këtë fakt, edhe Bashkimi Evropian, për vite me radhë e ka kritikuar vendin, duke i kujtuar se punësimi duhet të bëhet mbi sistemi e meritokracisë dhe jo nepotizmit, apo lidhjeve tjera. Ligji që rregullon këtë çështje akoma nuk është miratuar, ndërsa kreu i MShIA-së, Admirim Aliti, thotë se për ligjet e këtilla zakonisht çështja kryesore është vullneti politik.

Me miratimin e Ligjit për nëpunësit administrativ u vendosën standarde të reja në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin publik. Por pas 5 vitesh të miratimit të tij, dolën në sipërfaqe një sërë problemesh praktike në zbatim, tejkalimi i të cilave është i patjetërsueshëm që ligji të zbatohet në mënyrë konsekuente dhe të arrihet qëllimin për të cilin është miratuar.

Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës synonte të përgatiste ndryshime dhe plotësime në ligj duke u bazuar në vërejtjet praktike të atyre që e zbatojnë ligjin, por duke pasur parasysh faktin se nga analizat dhe vërejtjet e marra rezultoi se duhet të ndryshohen më shumë se 1/3 e neneve ekzistuese, u hartua një ligj krejtësisht i ri, baza e të cilit është Ligji tashmë ekzistues për nëpunësit administrativ.

Sa i përket ndryshimeve në Ligjin për nëpunësit administrativ (LNA) dhe ligje tjera të administratës, ekspertët që kanë pasur njohuri në zgjidhjet e propozuara ligjore dhe me të cilët kanë biseduar përgatitësit e raportit “Monitorimi i procesit të integrimit evropian: Reforma e Administratës Publike” të Fondacionit Metamofozis, kanë mendime të ndryshme.
Disa prej tyre i konsiderojnë të mira. Ekspertë të tjerë thonë se kanë pasur shumë vërejtje për pjesë të LNA-së, për të cilin thonë se ka përmirësim në pjesën e sistemit të meritës gjatë punësimit (i njëjti edhe më herë e mundësonte sistemin e meritës nëse zbatohej si duhet) dhe ndryshime të vogla në aspektin e progresit, gjegjësisht vlerësimin e administratës. Por, ka pasur edhe elemente të tjera kontroverse për të cilat sektori civil ka reaguar vetëm pasi ndryshimet ishin vendosur në ENER, pasi më herët ato nuk ishin përfshirë në shkrimin e propozim-ndryshimeve.

Kur bëhet fjalë për këto dy ligje, LNA dhe LPSP (Ligji për të punësuarit në sektorin publik), sipas disa ekspertëve, në një pjesë bëhet fjalë për harmonizimin e dy ligjeve, ndërsa në një pjesë për përmirësimin e sistemit të punësimit, kategorizimit dhe vlerësimit të punonjësve administrativë.

Nga departizimi, nepotizmi dhe kronizmi, varet edhe integriteti i administratës publike parë në përgjithësi, për sa i përket rezistencës ndaj keqpërdorimit dhe korrupsionit. Dhe këtë e kanë theksuar në mënyrë të përsëritur të gjitha subjektet vendase dhe ndërkombëtare që drejtpërsëdrejti apo indirekt janë përgjegjës apo vlerësojnë çështjen e korrupsionit.

Ligji për nëpunësit administrativ është shqyrtuar dhe miratuar nga Qeveria në fund të marsit dhe është dërguar në Kuvend dhe një nga shpjegimet kryesore ka qenë se është e nevojshme që ndryshimet në të të harmonizohen me amendamentet në Ligjin për pagën minimale. Qysh prej fundit të marsit, LNA gjendet në ueb faqen e Kuvendit për shqyrtim dhe miratim me procedurë të shkurtuar, por akoma nuk është miratuar.

Në intervistë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti i pyetur se pse mendon që tani do të miratohet ky ligj kur dihet se flitet që moti, që para dy ministrave para tij, ai tha duhet vullnet politik, dhe ky vullnet nuk mungon në qeverinë aktuale.

“Jemi duke e përgatitur edhe ligjin për nëpunësit administrativ ku pjesë e ligjit është dhe mënyra sesi bëhen punësimet në administratën publike. E dimë se gjatë dekadave të fundit në Maqedoni, raste tipike të punësimit në administrate janë rastet kur një parti e caktuar politike cakton se kush duhet të pranohet në punë dhe jo të përdoret mekanizmi i meritokracisë. Ajo në çfarë jemi duke punuar ne me këtë ligj është që të konfirmohet se në rastin e punësimeve të mos mund të përzihet një parti politike. Dua të them se për ligjet e këtilla dhe për digjitalizimin në kontekst të transparencës së administratës zakonisht çështja kryesore është vullneti politik. Ajo që mund ta konfirmoj tani është se edhe ne si ministri por edhe qeveria e tanishme e ka vullnetin politik të nevojshëm që të bëjë hapa konkret në rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe të kalojë ligje që ndoshta në afat të shkurtër mund të mos jenë të mirëpritura politikisht por në afat të gjatë do të jenë në të mirën e shtetit dhe qytetarëve”, tha Aliti.

Ndryshe, objekte të Ligjit për nëpunësit administrativ janë statusi, klasifikimi, punësimi, ngritja në detyrë, ngritja dhe aftësimi profesional, matja e efektit dhe çështje të tjera që lidhen me punësimin e punonjësve administrativë.

Bashkimi Evropian, si edhe raporteve të kaluara, edhe në atë të vitit 2021 kërkoi që të të zbatohet meritokracia dhe pret që në periudhën vijuese të miratohet dhe zbatohet ligji i ri për nëpunësit administrativë, si dhe ligjet për punonjësit e shërbimeve publike dhe për shërbimin e lartë drejtues.

“Maqedonia e Veriut aktualisht është duke rishikuar kornizën legjislative për menaxhimin e burimeve njerëzore përmes rishikimit të Ligjit për nëpunësit administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, dhe po prezanton një ligj të ri për shërbimin e lartë drejtues. Kuadri i ri duhet të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore në të gjithë administratën dhe do të kontribuojë në sigurimin e respektimit më të mirë për punësimet, promovimet dhe shkarkimet e bazuara në merita, duke përfshirë në nivelin e udhëheqësisë së lartë”, thuhet në raportin e KE-së për vitin 2021.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BE.

Related posts

Arsovska: Në festën e besimit dhe shpresës së përjetshme, çdo familjeje i uroj begati dhe shëndet

Gazetamax.mk

Konfiskimi i selisë, Mickoski paralajmëron ankesë para Gjykatës së Strasburgut

Gazetamax.mk

Lufta kundër korrupcionit, Kallajxhiev: Përkushtim serioz ndaj këtij fenomeni

Gazetamax.mk