GazetaMax
Lajme

“Lista e zezë nuk u pamundëson politikanëve që të kenë një të ardhme të bardhë”

Shkup, 20 janar – Lista e zezë në fakt nuk është për nga ngjyra e zezë, është e bardhë por e mbushur me udhëheqës për të cilët vlerëson departamenti i SHBA-ve se kanë veprimtari të zezë. Në skanerin Amerikan nuk ka dallime etnitetesh apo aktivitetesh, secili person me veprimtari të zezë futet në këtë listë të bardhë e cila pastaj quhet “lista e zezë”. Në fund të nëntorit në Maqedoninë e Veriut ka arritur një ekip hetuesish i dërguar nga Uashingtoni për të luftuar korrupsionin në vend, mbase e përshëndetën të gjithë politikanët por jo edhe të gjithë iu gëzuan këtij lajmi. Tani mësohet se në mesin e këtij ekipi kanë qenë pjesëmarrës edhe dy anëtarë të posaçëm me përvojë për të monitoruar listat e sanksioneve dhe kandidatët e mundshëm për listat e zeza financiare të SHBA-së. Por, ajo që krijon habi dhe çudi është fakti se si ka mundësi që personat apo politikanët edhe pasi të futen në listë të zezë të kenë një të ardhme të bardhë, me fjalë të tjera futja e tyre në listë të zezë pamundëson vetëm shkuarjen e tyre në SHBA, por jo edhe aktivitetin e tyre në vendet e tyre, shkruan Zhurnal.

Politikanët që janë në listë të zezë por që kanë jetë luksoze-

Nga Maqedonia e Veriut ka emra të shumtë që janë futur në listën e zezë të SHBA-ve, por që ende janë aktivisht në politikë, dhe që në realitet jeta e tyre nuk është se ka pësuar ndonjë ndryshim apo dëmtim edhe pasi janë fut në këtë listë.

Menduh Thaçi – është kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare i cili është futë në listën e zezë dhe ende vazhdon të mbetet në këtë listë, por edhe përkundër këtij fakti ai vazhdon ende jetën e tij me aktivitetin politik. Nga ana tjetër përpos që është aktivisht në politikë, po i njëjti ka edhe biznese të shumta që i funksionojnë pa asnjë problem edhe përkundër realitetit që ky është i futur në listë të zezë.

Në këtë listë janë edhe politikanë të tjerë, Xhevat Ademi, ish deputet i partisë më të madhe shqiptare, BDI, i cili edhe pse ishte i futur në listë të zezë nuk e pati problem të fitojë besimin e popullit që jetë përfaqësues i tyre në Kuvend.

Pjesë e listës së zezë janë edhe dy kushërinjtë, Nikolla Gruesvki dhe Sasho Mijallkov. Njëri ish kryeministër e tjetri ish shef i DSK-së. Që të dy në liri, Nikolla Gruvski aktualisht azilant politik në Hungari, i arratisur nga Maqedonia e Veriut për shkak të disa lëndëve të hapura brenda vendit dhe që është të burgoset. Ky përpos që arratiset, në Hungari zhvillon një jetë luksoze fal buxhetit të tij të akumuluar sa në mënyrë legale e sa në mënyrë ilegale.

Nga ana tjetër, kushëriri i tij, Sasho Mijallkov, qëndroi pak kohë në burg dhe më pastaj u lirua pasi gjykata ka pranuar garancinë e ofruar prej 11 milionë euro. Kjo është për të ardhur çudi se si ka mundësi që këto gjykata të pranojnë vlera kaq të larta të pasurisë si garanci pa e ditë burimin e kësaj pasurie. Pra, që të dy edhe Gruevski dhe Mijallkov janë pjesë e listës së zezë por që kjo nuk ka penguar në asnjë formë aktivitetin e tyre. Madje, edhe më absurde se kaq në fundin e vitit që lamë pas dolën rezultatet e hulumtimit të IRI-it, ku Gruevski rezultoi politikani me besueshmërinë më të lartë në opinion.

Nga Maqedonia e Veriut përpos, Thaçit e Ademit në listë të zezë janë edhe Gafur Adili, Nuri Bexheti, Kastriot Haxhirexha, Xhezair Shaqiri, Nevzat Halili dhe 30 shqiptarët të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria të cilët vazhdojnë të mbeten në Listën e zezë të SHBA-së.  Në listën e ndalesës janë një numër i madh i politikanëve të sotëm, që dikur kanë qenë ish pjesëtarë të ushtrive shqiptare në rajon, UÇK, UÇPMB dhe UÇK-kombëtare, por edhe nga Serbia, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Politikanë nga rajoni të njëjtë me këto të Maqedonisë së Veriut, edhe në listë të zezë edhe në skenë-

Nga Kosova, pos ish- komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylës, ish deputet i PDK-së, në listën e Zezë të SHBA-së, është edhe ish- komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, ish kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht në Hagë, Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, Rrustem Mustafa, deputet i PDK-së, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, Haradin Balaj, Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit edhe shumë emra të tjerë. Por, edhe këto emra ngjashëm sikurse këta të Maqedonisë së Veriut kanë vazhduar veprimtarinë e tyre pa hasur në asnjë pengesë për faktin se janë në listë të zezë.

Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall ‘persona non grata’ (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë. Kjo shkaktoi në bujë të madhe në vend, rajon dhe në Evropë, por që Berisha ishte i vendosur që do ta dëshmonte se ky vendim është i padrejtë ndaj tij. Pra, edhe duke qenë në listë të zezë dhe në moshë të shtyrë arriti që të shkaktojë “revolucion opozitarë” në Shqipëri, duke e marrë sërish timonin e PD-së dhe duke u shndërruar në një lider opozitar që do t’i qëndrojë ballë kryeministrit Rama.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit.

Megjithatë, fokusi i SHBA-së dhe BE-së është pastrimi i Ballkanit Perëndimor nga njerëz të korruptuar, e kjo mbase nuk do të bëhet vetëm me futjen e tyre në listë të zezë por do të duhen edhe veprime tjera që do të ndalojnë veprimtarinë e tyre të zezë. Pasi me këtë avaz pothuajse të gjithë politikanët që po futen në listë të zezë po vazhdojnë me aktivitet e tyre për të siguruar një të ardhme “të bardhë”. /Zhurnal.mk

Related posts

Policia e Tetovës arreston edhe 2 të dyshuar për mbytjen e 16 vjeçarit te Banja e qytetit

Gazetamax.mk

Osmani – Putraj: Bashkëpunim me Hesen dhe mbështetje për eurointegrimet

Gazetamax.mk

Varianti ri i virusit arriti pikun

Gazetamax.mk