Një çupë këto ditë
Iu ul gjyshes në prehër
Jetë e quajnë vashëzën
me emër
Gjyshe, lum gjyshja
tani jam rritur
Edhe përrallat të gjitha i di
Po më trego, o gjyshe
Pranvera kur do të vijë?
O, të keqen lokja
I tha vogëlushes
I hoqi syzet
dhe s´mendoi shumë:
Kur vëllai e puth vëllanë
Derisa ai është në gjumë.
E, pra, lum gjyshja
LIRIA a ka për t´ardhë?
Po, të pastë lokja
Kur motra motrën
E puth në ballë.
E në tokën tonë, gjyshe
A do të ketë dritë?
S´ka dyshim, zemër
Kur motra vëllait
Ia puth dy sytë.
(Për këtë poezi Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, më 30 tetor 2021, në Moosburg të Gjermanisë, jep çmimin “PENA E ARTË”)
Burimi: Botasot
