GazetaMax
Lajme

Mickoski: Sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje, shumica nuk i ka 80 vota për ndryshime kushtetuese

Shkup, 9 nëntor – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot e përsëriti kërkesën për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare, duke theksuar se nëse mbetet kjo Qeveri, situata në vend do të bëhet më e keqe.

“Çdo zgjidhje tjetër nënkupton vazhdim të agonisë. Sepse çdo zgjidhje tjetër do të thotë se nuk kemi plan, do të thotë më shumë krim, më shumë korrupsion, shëndetësi më të dobët, katastrofë më e madhe në arsim, ekonomi më e dobët, inflacion më i lartë dhe prandaj themi se duhen zgjedhje që Maqedonia dhe qytetarët e saj të mos humbasin, që qytetarët të fillojnë të marrin dhe prandaj themi të shkojmë në zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare për ta shpëtuar Maqedoninë tonë nga agonia. Ky është thelbi, prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk ka arsye tjetër që kjo qeveri të qëndrojë sepse shohim se jemi më të këqijtë në Evropë”, tha Mickoski, duke shtuar se sa më gjatë të qëndrojnë në pushtet aq më keq do të jetë.

Sipas tij, qeveria nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese. Kaluan, shton Mickoski, pesë muaj prej kur pushteti e pranoi propozimin e fundit dhe deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar.

Përkujtoi se kryetari i Kuvendit tha se për ndryshimin e Kushtetutës duhen 4,5 deri në 5 muaj, që sipas Mickoskit do të thotë humbje shtesë e kohës në vend që t’i përkushtohemi reformave. Kreu i partisë opozitare mendon se opinioni duhet të defokusohet me këtë temë.

“Është e qartë se nuk ka shumicë prej 80 deputetëve. Kjo është edhe një arsye për të shkuar më shumë në zgjedhje të parakohshme sepse politika e vetme e LSDM-së dhe BDI-së po dështon në këtë moment. A do të ndryshojnë metodën e Prespës që të mbajnë për vesh deputetë, pra të provojnë metoda jokonvencionale, me ryshfet, me kërcënime, me shantazhe, nuk e di dhe nuk dua ta besoj. Por duke pasur parasysh karakterin e këtyre njerëzve, gjithçka është e mundur”, konsideron Mickoski.

Ai është i bindur se në këtë mënyrë, siç tha ai, nuk do të mund të bindin disa nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. “Prandaj thashë se nuk është kjo koha e Prespës”, tha Mickoski.

Apeloi, siç tha, në arsyetim sepse “politika e ndryshimit me forcë të Kushtetutës dhe të Preambulës po dështon”. “Ishte e qartë nga takimi i liderëve se nuk kanë dy të tretat. Nuk duhet të kenë frikë, duhet të ballafaqohen me popullin, të dalin dhe të shkojmë së bashku në zgjedhje të parakohshme”, tha Mickoski.

Për mundësinë që Aleanca për Shqiptarët të hyjë në Qeveri, lideri i VMRO-DPMNE-së thotë se nuk mendon se do të ishte një veprim i mençur dhe inkurajon këtë parti që të vazhdojë të veprojë në opozitë.

“Aleancën për Shqiptarët e konsideroj si parti opozitare. Ata kanë organe të tyre për vendimmarrje dhe nëse vendosin që të hyjnë në qeveri do të thotë se i ndajnë të gjitha vlerat e kësaj qeverie dhe i thashë kësaj qeverie pse duhet të largohet dhe pse duhen zgjedhje të parakohshme. . Personalisht, nëse më pyesni mua, nuk mendoj se është veprim i mençur nëse vendosin të hyjnë në Qeveri. Ata kanë strukturën e tyre të profilizuar si opozitare dhe në opozitë ka hapësirë ​​të madhe për të treguar veten dhe i inkurajoj që të vazhdojnë, por politikat e secilës parti politike janë politika autonome”, tha Mickoski.

Related posts

Shtrenjtohen derivatet

Gazetamax.mk

Aksion i madh i inspektoratit komunal në Tetovë

Gazetamax.mk

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës: Këta janë përgjegjësit e zhdukjes së Ukshin Hotit

Gazetamax.mk