GazetaMax
Lajme

Në shkollat e Dibrës tre lëndë të gjuhëve të huaja

Në shkollat fillore dhe të mesme të komunës Dibër aktualisht si lëndë të gjuhëve të huaja mësohen anglishtja, gjermanishtja dhe frëngjishtja. Gjuha angleze është shumë e preferuar e cila është në programin e shkollave, kurse gjermanishtja dhe frëngjishtja janë gjuhë përzgjedhëse. Nëse bëhet një krahasim me vite më parë, aktualisht sipas nxënësve orientimi kryesor është të mësohet gjuha angleze. Pikërisht për këtë përcaktim tani mëse dy dekada edhe drejtoritë e shkollave në programet e tyre një vëmendje të veçantë i kushtojnë gjuhës angleze. Por, duhet theksuar faktin se viteve të fundit shtohet edhe interesimi për mësimin e gjuhës gjermane. Kjo e fundit drejtpërdrejt është e lidhur edhe me migrimet që bëjnë të rinjtë dibran drejt Gjermanisë për të punuar.

Në tre shkollat fillore në komunën e Dibrës dhe në shkollën e mesme të vetme “28 nëntori”, mësohen gjuha angleze, gjermane dhe gjuha frënge.

Drejtori shkollës fillore më të madhe në Dibër “Penestia”, Ajet Mullarexha na informoi se përveç gjuhës angleze mësohet edhe gjuha frënge. Mullarexha thotë se nxënësit më shumë janë të interesuar për mësimin e gjuhës angleze. Por, në këtë shkollë ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si gjuhën e dytë të jashtme është edhe gjuha frënge.

Në shkollën “Said Najdeni”, në Dibër ku mësimi mbahet vetëm në gjuhën shqipe, përveç gjuhës kryesore- anglishtes, në programin shkollor janë edhe gjuhët gjermane dhe frënge. Drejtori i shkollës Burim Kaziu thotë se prezenca e gjuhëve të jashtme është në përputhje me kërkesat të programeve shkollore por edhe dëshirave të nxënësve dhe prindërve.

Në shkollën fillore në fshatin Kosovrast i Poshtëm “Riste Ristevski”, drejtori Shania Ajrovski informoi se përveç gjuhës angleze mësohet edhe gjuha gjermane. Sipas tij në këtë shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase kohëve të fundit ka një interes të theksuar për gjuhën gjermane.
Në shkollën të vetme të mesme në Dibër “28 Nëntori”, sipas drejtorit Ramadan Imeri përveç gjuhës angleze ka edhe dy gjuhë të tjera përzgjedhëse. Janë gjuha gjermane dhe ajo franceze. Edhe drejtori Imeri potencon se interesimi për gjuhën gjermane është në rritje por shton se dominate është gjuha angleze.

Në bisedat që realizuam me përfaqësues e shkollave u informuam se nxënësit në pjesën dërmuese të tyre me një interes të veçantë ndjekin dhe mësojnë gjuhën angleze. Ata thonë se gjuha angleze është gjuha botërore e cila hap dyert shumë shpejt për punësim. Por, të njëjtat burime potencojnë se rritja e interesit për të mësuar gjuhën gjermane ka të bëjë drejtpërdrejt me interesimin të të rinjve për të migruar në Gjermani ku sipas tyre gjendet shumë lehtë punë.

Sa i takon gjuhës frënge ajo është prezent në shkollat dhe ka një përkrahje në kontinuitet nga Ambasada franceze e cila organizon edhe ditët të frankofonisë. Kur jemi tek ndikimi i mësimit të gjuhëve të potencojmë se në komunën rurale Qendër Zhupë përveç anglishtes, mësohet edhe gjuha italiane. Kjo ka të bëj me respektimin e kërkesave të prindërve dhe nxënësve meqë pjesa dërmuese e popullatës punon dhe jeton në Itali. /koha/

Related posts

Burgu i Tetovës zbukuron parkun më mirë se sa komuna Qendrën e qytetit

Gazetamax.mk

Korridoret 8 dhe 10D/ Rexhepi: Opozita bën obstruksione të vazhdueshme

Gazetamax.mk

“Kishin mosmarrëveshje mes vete”, xhaxhai i Erona Coklit jep detaje për rastin tragjik

Gazetamax.mk