GazetaMax
Lajme

Nga vloger në reporter, historia e britanikut që raportoi protestat në Nepal dhe pushtoi internetin

Një britanik i zakonshëm, i njohur në rrjet si Harry nga kanali WeHateTheCold, u kthye papritur në një “gazetar aksidental” dhe u bë viral në mbarë botën. I apasionuar pas udhëtimeve me motoçikletë dhe dokumentimit të vendeve ku kalon, Harry nuk e kishte menduar kurrë se rruga e tij drejt shtëpisë, nga Tajlanda në Mbretërinë e Bashkuar, do ta fuste në qendër të një proteste historike në Nepal.

Gjatë ditëve të tensionuara në Kathmandu, ku qindra të rinj të gjeneratës Z dolën në rrugë duke kërkuar ndryshim, Harry mori kamerën e tij dhe nisi të filmonte gjithçka. Pamjet e tij treguan zjarr, gaz lotsjellës, përleshje me policinë dhe zërin e qytetarëve që kërkonin të dëgjoheshin. Ai nuk ishte pjesë e ndonjë ekipi televiziv, nuk kishte mbrojtje sigurie dhe as mjetet e një gazetari profesionist, vetëm kamerën e tij dhe kurajën për të dokumentuar realitetin.

Brenda pak orësh, videoja e titulluar “Nepal is on fire” u shpërnda me miliona herë në rrjet, duke arritur mbi 5 milionë shikime në pak kohë. Interneti e shpalli menjëherë si shembullin e një “reporteri të gjeneratës së re”, që falë spontanitetit dhe syrit të tij të lirë, solli para botës imazhet e një proteste që rrezikonte të shpërfillet nga mediat tradicionale.

Për shumë njerëz në Nepal, prania e Harry-t ishte një dëshmi e fuqisë së mediave sociale dhe mënyrës si zëri i qytetarëve mund të përçohet globalisht. Nga një vloger i thjeshtë që udhëton me motor, ai u kthye në një kronikan të një momenti historik.

Historia e Harry-t është kujtesë se gazetaria nuk ka gjithmonë nevojë për tituj, uniforma apo studio televizive, mjafton një sy i vëmendshëm, një kamera, ose telefoni dhe guximi për të treguar të vërtetën./K.C/dritare.net

Related posts

Kryqi i Kuq publikoi llogari dhe numra të telefonit për donacione për të pësuarit në Turqi dhe Siri

Gazeta Max

Policët furnizohen me 8550 palë çizme të reja

Gazeta Max

Bekim Maksuti është dërguar në paraburgim për tragjedinë e Koçanit

Gazeta Max