GazetaMax
Lajme

Nis zbatimi i projektit që u la në hije për 30 vite

Korridori 8 u projektua si pjesë e Rrjetit Pan-Europian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, me qëllimin që të financohej dhe të përfundonte në 15 vitet e ardhshme, por më vonë, projekti mbeti në hije, për shkak të zhvillimit të rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, të nxitura nga investimet e Kinës në infrastrukturë dhe përparësisë që morën rrjetet rrugore Veri-Jug. Sot, tre shtete të Ballkanit – Maqedonia, Shqipëria e Bullgaria e vlerësojnë si projekti për strategjik i realizuar ndonjëherë.

Pas gati 30 vitesh pritje, Korridori 8 ka marrë formë. Sot u nënshkrua Marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe konsorciumit Behtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, ndërsa do të shtrihet nga Tetova deri në Qafë Thanë. Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se çmimi është nën mesataren e autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit, shkruan gazeta KOHA. “Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 km autostradë. Nga Korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do të ndërtohet një autostrade tjetër. Nga ana e Shqipërisë, tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, tha Grubi. Ai u bëri thirrje gazetarëve që të bisedojnë me konsulentë apo ekspertë për këtë projekt.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para nënshkrimit të Marrëveshjes ka thënë se projekti për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D është projekti më i rëndësishëm infrastrukturorë. Sipas kryeministrit Kovaçevski, ky është prioritet që u realizua nga Qeveria. “Projekti do të kushtojë 1.3 miliard euro, është projekt historik. Projekt më i rëndësishëm infrastrukturor në vend”, tha Kovaçevski. Nga ana tjetër, ministri i Transportit, Blagoj Boçvarski tha se vendi ynë ka nevojë për rrugë të reja cilësore për zhvillimin e ekonomisë, transport më të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve dhe për cilësi më të mirë të jetës së qytetarëve. “Për këtë projekt, tashmë nga Buxheti i këtij viti janë ndarë 244 milionë euro. Pres menaxhim të mirë të proceseve. Para nesh kemi shumë sfida në terren, por pres që të gjithë të bëjmë përpjekje maksimale dhe të arrijmë qëllimet tona për infrastrukturë moderne dhe cilësore”, tha Boçvarski. Ai mes tjerash shtoi se pret që sa më shpejti të shënohet fillimi i punimeve në terren, shkruan gazeta KOHA.

GJASHTË KORSI NGA TETOVA NË GOSTIVAR, KËRÇOVË, PËRMES STRUGËS DERI NË QAFË THANË

Kujtojmë se dje me propozim të Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D. Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D erdhi pas katër javësh negociata, të cilat janë realizuar në mes të konsulentit për transaksion financiar të Qeverisë, IRD dhe konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka. “Ditë e madhe sot në Komitetin drejtues dhe në Qeveri ku shqyrtuam raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D si dhe miratim përmbajtjen dhe nënshkrimin e kontratës”, u shpreh dje Grubi.

Veç kësaj, Qeveria javë më parë miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se ishin plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat zgjatën 28 ditë. Në pjesën e Maqedonisë, Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 km, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve. “Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe Korridoret ndërkombëtare”, thanë nga Qeveria.

PROJEKT STRATEGJIK PËR 3 SHTETE

Ndryshe, më 16 korrik të vitit 2021, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 (aksi rrugor Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe projektit të autostradës Trebenishtë-strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10D (aksi rrugor i autostradës Prilep-Manastir), raporton KOHA. Me këtë ligj u rregulluan detajet në lidhje me planifikimin, projektimin dhe ndërtimin dhe përdorimin e një pjese të Korridorit 8, si dhe planifikimi, projektimi dhe ndërtimi dhe përdorimi i Korridorit 10D, si projekte me interes kombëtar dhe u emërua partner strategjik për realizimin e projekteve me qëllim që të arrihet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i sigurt i lidhjes rajonale të Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kompletimit të Korridoreve Paneuropiane 8 dhe 10D. Pas gati 30 vjetësh, Korridorit 8 është kthyer fuqishëm si pjesë e infrastrukturës kryesore europiane e quajtur edhe si “TEN-T”.

Ky klasifikim do të angazhojë fonde për të përfunduar aksin rrugor, hekurudhën, portet… me standardet më të larta të BE-së, ndërsa gjithçka pritet të përfundojë deri në vitin 2030. Projektet në këtë aks, për momentin, janë kaotike, por Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që para dy vitesh e shpallën këtë projekt si strategjik. Korridori 8 apo siç njihet në formulimet perëndimore “Korridori Paneuropian VIII”, është një aks komunikacioni nga Shqipëria përmes Maqedonisë së Veriut për në Bullgari. Korridoret Paneuropiane të komunikacionit janë akse të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa Korridori që tejkalon në shtetet e Ballkanit vlerësohet si një arterie tepër e rëndësishme ekonomike. Korridori 8 lidh si aks Perëndim-Lindje në Ballkanin Perëndimor portet në Adriatik me Deti i Zi dhe konsiderohet si një korridor i transportit të kombinuar. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kështu do të kenë qasje më të madhe në Perëndim, ndërsa vlerësohet se Shqipëria ashtu si vendet e tjera, do të fitojë një bum ekonomik.

I PROJEKTUAR QË NË VITIN 1994

Korridori 8 u projektua si pjesë e Rrjetit Pan-Europian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, me qëllimin që të financohej dhe të përfundonte në 15 vitet e ardhshme, por më vonë, projekti mbeti në hije, për shkak të zhvillimit të rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, të nxitura nga investimet e Kinës në infrastrukturë dhe përparësisë që morën rrjetet rrugore Veri-Jug. Gjurma kryesore e Korridorit 8 përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multi-modale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve – Tiranë, Shkup, Sofje – përmes Plovdivit, duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.

Një veçori shtesë e Korridorit 8 janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare, duke lejuar lidhje të pandërprerë me BE-në dhe transportin detar botëror. Korridori 8 siguron lidhje edhe me tre rrjete të rëndësishme rrugore, Burgas-Svilengrad-Ormenion, që e lidh atë me Korridorin 4, 9 dhe Rrjetin Transeuropian, shkruan gazeta KOHA.

KORRIDORI 8 SHTRIHET AFËRSISHT NË 154 KILOMETËR NË TERRITORIN SHQIPTAR

Korridori 8 duhet të shtrihet afërsisht në 154 kilometër në territorin shqiptar. Si segment i parë i Korridorit 8 do të jetë Bypass-i i Tiranës që njëkohësisht do të shpërbejë edhe për Korridorin 10, edhe për Korridorin 8. Në Qeverinë shqiptare thonë se për këtë aks është kryer studimi i fizibilitetit dhe do të financohet nga BE. Aksi është 21 kilometra dhe do të kushtojë 190 milionë euro. Gjerësia e rrugës do të jetë 35 metra, si një autostradë e tipit A. Aksi tjetër vijues i Korridorit 8 është rruga Tiranë-Elbasan, që ka përfunduar tashmë. Ndërkohë ka përfunduar edhe ndërtimi i Bypass-it të Fierit dhe të Vlorës, që ndihmojnë qarkullimin Lindje-Perëndim. Ministria e Infrastrukturës së Shqipërisë, në shpjegimin mbi ecurinë teknike të punimeve në Korridorin 8, është shprehur se në pjesën shqiptare, pika dalëse në Maqedoninë e Veriut e Korridorit 8 do të jetë ura e Bushtricës në Përrenjas, për të shmangur lartësinë që krijon dalja në Qafë-Thanë.

Related posts

Thaçi për Debat Plus: Të hënën nënshkruhet marrëveshja e koalicionit me BDI-në

Gazetamax.mk

Catherine de Bolle: Europol ka bashkëpunim të mirë me Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk

Në Tabanoc kapet stoli ari me vlerë gati 19 mijë euro, ishin fshehur nëpër pampersa

Gazetamax.mk