“Një humbje e turpshme, zhgënjyese dhe poshtëruese, Liverpooli është gjashtë vjet para nesh”

Trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick mendon se Liverpooli është në një tjetër nivel, derisa “Reds” e shkatërruan mbrëmë skuadrën e tij duke e mposhtur me rezultat të thellë, 4:0.
Trajneri gjerman ndihet i mllefosur me paraqitjen e ekipit, i cili asnjëherë nuk ishte kundërshtar i barabartë me liderin e ri të Premierligës.
“Nuk besoj se një formacion tjetër do të mund të ndryshonte diçka. Tek goli i parë nuk ishte në planet tona të ishim aq përpara dhe që të marrim gol në kundërsulm pas vetëm pesë minutash. Kjo e ka ndryshuar ndeshjen. Në pjesën e parë nuk ishim të mirë mjaftueshëm: nuk e fitonim as topin e parë e as të dytë. Në pjesën e dytë e ndryshuam kursin e lojës me inkuadrimin e Sanchos. I kemi pasur dy apo tri raste për ta ngushtuar distancën, por goli i tretë i tyre na ka këputur këmbët”, deklaroi Rangnick për “BBC MOTD”, përcjell “Gazeta Express”.
“Është një humbje e turpshme, zhgënjyese, ndoshta edhe poshtëruese. Na duhet ta pranojmë se Liverpooli është gjashtë vjet përpara nesh. Kur ka arritur Jurgen Klopp, janë bërë ndryshime në klub, të cilat e kanë sjell jo vetëm skuadrën, por edhe klubin dhe qytetin në një nivel të ri. Kjo është ajo që duhet ta bëjmë ne në afatet e ardhshme kalimtare”, përfundoi trajneri i përkohshëm i Man Utd.
Dy gola për Liverpoolin i realizoi Mohamed Salah, e nga një e shtuan Luis Diaz dhe Sadio Mane.

Të fundit në përqindje