GazetaMax
Lajme

Paviqeviq: Organizimi dhe pjesëmarrja shkollare të jetë e rregulluar me ligj

Shkup, 28 maj – Rregullimi i organizimit shkollar, për herë të parë që nga pavarësia e vendit, është qëllimi kryesor i propozim-ligjit që duhet të miratohet në Kuvend. Lëvizjet shkollare nuk guxojnë të jenë sporadike ose të përkohshme. Në mungesë të ligjit, ka shkolla ku mungon çfarëdo forme e përfaqësimit të nxënësve. Janë të domosdoshme edhe reformat në mënyrën e veprimit të organizatave shkollare, konsideron Lluka Paviqeviq, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai e ka përgatitur vetë zgjidhjen ligjore me pëlqimin e Kuvendit të Përgjithshëm të Unionit, që ka përfaqësitë, respektivisht degët lokale në 17 qytete në shtet dhe ato drejtohen nga ambasadorë rinorë.

Në intervistën për MIA-n, Paviqeviqi shprehet se qëllimi i ligjit është edhe pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të mesme në vendimmarrjen, respektivisht ata që nga mosha më e re t’i mësojnë vlerat dhe thelbin e demokracisë. Ligji do të mundësojë vendosjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta për kryetar të shkollës, ashtu siç ekziston tashmë në disa prej tyre, dhe do t’ua kthejë shkollarëve disa të drejta të humbura, si për shembull pjesëmarrjen në këshillat e shkollave të mesme, gjë që ka ekzistuar 30 vjet më parë.

“Përfitimi themelor i këtij ligji për shkollarët është se do të bëhen me rrjetë të institucionalizuar që do të përfaqësojë zërin dhe qëndrimin e tyre, ndërsa e drejta e demokracisë dhe pjesëmarrjes do t’u jetë e garantuar me ligj”, deklaroi kreu i shkollarëve.

Unioni angazhohet edhe për transport të drejtë publik për shkollarët dhe propozoi ndryshime të Ligji për arsimin e mesëm meqë me ligjin aktual të gjithë nuk gëzojnë të drejtën e transport falas. Qëllimi është që të eliminohet diskriminimi dhe këtë të drejtë ta kenë edhe nxënësit e shkollave private. Kërkon edhe heqjen e kriterit për distancë prej së paku dy kilometra e gjysmë nga shtëpia deri në shkollë, e gjithashtu transporti falas të vlejë gjatë gjithë vitit kalendarik, e jo vetëm gjatë nëntë muajve të vitit shkollor, meqë me kufizimin e tillë reduktohen lëvizshmëria dhe aktivitetet e tyre gjatë pushimit.

“Edhe organizimin shkollar, edhe transportin publik falas dhe të drejtë për të gjithë nxënësit, i shndërruam në propozim-ligje dhe më së voni deri në fund të verës presim që ato të hyjnë në fuqi”. tha Paviqeviqi, i cili mbaron vitin e tretë në Shkollën ndërkombëtare NOVA si bursist i fondacionit “Boris Trajkovski”.

Në intervistën për MIA-n ai flet edhe për qëllimet tjera nga programi i tij me të cilin vitin e kaluar në maj është zgjedhur kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, si dhe për prioritetet në gjysmën e dytë të mandatit dyvjeçar.

Në procedurë parlamentare është Propozim-ligji për organizim shkollar – kush e përgatiti dhe cilat janë qëllimet dhe përfitimet e tij për shkollarët?

– Organizimi dhe pjesëmarrja shkollare është çështja më e rëndësishme në arsimin e mesëm për momentin. Qëkur u miratua Ligji për arsim të mesëm në vitin 1994, askush asnjëherë nuk i ka detyruar me ligj shkollat që të kenë përfaqësues demokratikë të nxënësve. Opinioni e di se gjatë historisë shfaqen shumë lëvizje të ndryshme shkollare. Ato nuk guzojnë të jenë sporadike dhe të përkohshme, por qëllimi ynë është të vendosim vazhdimësi. Për shembull, nxënësit në vitin 1992 kanë pasur përfaqësuesit e tyre në këshilltar e shkollave. Madje kanë votuar kundër rizgjedhjes së drejtorëve. Duhet ta rikthejmë këtë të drejtë meqë pjesëmarrja është baza e demokracisë, ndërsa vlerat demokratike duhet të mësohen që në moshë të re.

Si çështje më parësore, propozim-ligjin për organizim shkollar jam duke e përgatitur personalisht unë, pasi më parë mora pëlqimin dhe aprovimin nga Kuvendi i Përgjithshëm i Unionit. E filluam këtë proces së bashku me IUMPE (Instituti për Udhëheqje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike) në kuadër të iniciativës së përbashkët “Udhëheqës/e shkolle, udhëheqës/e në të ardhmen”. Qëllimi i parë i ligjit është të rregullojë organizimin shkollar për herë të parë në historinë e Maqedonisë së pavarur. Megjithatë, nuk duhet të ndalemi këtu. Në panel-diskutimin “Çfarë risish i nevojiten organizimit shkollar?” që e organizuam më 24 shtator në kuadër të nismës së njëjtë, të gjithë të pranishmit u pajtuan se duhet të mendojmë për reforma në mënyrën e të vepruarit të organizatave shkollare.

Qëllimi i dytë i ligjit është të sjellë demokracinë si një vlerë thelbësore dhe mënyrë të sjelljes te shkollarët. Mendoni rreth titullit “kryetar i klasës” – në të drejtën shfaqen dy lloje të mandatit: të lirë dhe imperativ (revokues). Cila është detyra e kryetarit? Të përfaqësojë qëndrimin e tij ose atë të gjithë klasës? Prandaj konsiderojmë se duhet t’i emërtojmë “përfaqësues të klasës”, e jo “kryetarë”.

Duhet të unifikojmë modelin e organizimit shkollar – qëllimi i tretë i ligjit. Kemi shembuj në shkollat ku vetëm kryetarët e klasave kanë të drejtë të kandidohen për kryetar të shkollës dhe vetëm ata kanë të drejtë ta zgjedhin atë. Pse vetëm 4 për qind e nxënësve të kenë të drejtë të kandidohen? Pse 96 për qind të mos kenë të drejtë të vendosin se kush e përfaqëson shkollën e tyre? Në Radovish, në Shën Nikollë, në Negotinë, në Tetovë, në shkollat ndërkombëtare NOVA, të gjithë nxënësit kanë të drejtë vote. Të njëjtën e përdorin me pjesëmarrje të madhe. Ne tashmë kemi precedent. Ligji do të vendosë zgjedhje të drejtpërdrejta për kryetar të shkollës në të gjitha shkollat e vendit.

Përfitimi themelor i këtij ligji për shkollarët është se do të bëhen me rrjetë të institucionalizuar që do të përfaqësojë zërin dhe qëndrimin e tyre, ndërsa e drejta e demokracisë dhe pjesëmarrjes do t’u jetë e garantuar me ligj.

Ndoshta kjo çështje duket me ndikim në sektorin e arsimit, por, për mendimin tim, organizimi shkollar është tejet i rëndësishëm. Nëse dikush dëshiron të lexojë ose të dëgjojë më shumë për këtë fushë, nga njerëz të profileve më të ndryshme shoqërore, e inkurajoj që ta shikojë fushatën rrjedhëse onlajn “Mbështes demokracinë shkollare” të cilën ne dhe IUMPE-ja  jemi duke e zbatuar në rrjetet sociale Fejsbuk dhe Instagram. Ja pse jemi #PËRDemokraciShkollare.

Në mungesë të ligjit, pjesëmarrja e shkollarëve në vendimmarrjen është e dukshme dhe e mundësuar përmes bashkësive të nxënësve në shkollat. A janë dhe sa janë ato funksionale – a janë të mjaftueshme për të artikuluar zërin e shkollarëve?

– Kryesisht shfaqen tre shembuj të ndryshëm të bashkësive të nxënësve në shkollat nëpër Maqedoni. Për fat të keq, mungesa e ligjit lejon që të ketë shkolla në të cilat nuk ka fare formë të përfaqësimit të nxënësve. Ky është shembulli i parë – thatësi. Më tutje, shfaqen shkollat ku ka bashkësi të nxënësve, por përfaqësuesit e saj janë në koordinim të drejtpërdrejtë me Drejtorinë e shkollës, gjë që nuk është poenta e organizimit shkollar. Shpeshherë e rrëfej shembullin e arkëtimit të paligjshëm të certifikatave – në procesverbalet nga Inspektoriati bëhet e ditur se kryetari i bashkësisë së nxënësve ka dhënë deklaratë me shkrim se nuk ka pasur arkëtim, ndërsa konkluzioni nga procesverbali i njëjtë është se paratë janë marrë me të vërtetë. Pra, shembulli i dytë nuk është asgjë më tepër veçse Fshati i Potemkinit.

Shembulli i tretë janë bashkësitë aktive të nxënësve që me të vërtetë marrin pjesë në jetën shkollore dhe luftojnë për të përmirësuar statusin e nxënësve. Shumë nga ambasadorët tanë rinorë njëherësh janë edhe kryetarë të bashkësive të nxënësve në shkollat e tyre. Me çmimin “më të Zëshëm”, së bashku me Fondacionin “Konrad Adenauer” dhe LEAD (LEAD- Leaders for Education, Activism and Development), i identifikuam këta shembuj të ndritur dhe i shpërblyem në mënyrë që t’u japim motivim dhe mbështetje edhe më të madhe.  Gjatë vetë procesit i informuam për të drejtat e tyre si përfaqësues të nxënësve, i këshilluam se duhet të fokusohen më shumë në përfaqësimin e qëndrimeve sesa në organizimin e ngjarjeve dhe krijuam rrjetë të shkollarëve të motivuar anembanë vendit.

Sidoqoftë, duhet të pyesim veten pse kemi “këshilla të mësimdhënësve”, pse kemi “këshilla të prindërve”, dhe përnjëherë na shfaqet “bashkësi të nxënësve” – një formë vërtet e çuditshme? A nuk janë të gjithë nxënësit në shkollë anëtarë të bashkësisë së nxënësve? Nomen est omen. Asnjëherë nuk do të arrijmë barazinë mes të gjithë faktorëve në procesin arsimor në qoftë se disa kanë “këshillat”, e të tjerët “bashkësitë”. Është koha të kemi “këshillat e nxënësve”, respektivisht “këshilla shkollare”

A keni marrë përgjigje nga kompetentët ndaj Iniciativës së Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme për transport publik falas për të gjithë nxënësit në arsimin e mesëm?

– Komunikimi me kompetentët vazhdon. Ndonse ekzistonte si ide që nga muaji maj i vitit të kaluar, nismën e aktivizuam nga fundi i muajit mars përmes takimit me kryetaren e Qytetit të Shkupit.

Dorëzuam kërkesë për pjesëmarrjen tonë në seancën e radhës të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Jemi duke biseduar me të gjitha grupet këshilltare dhe parlamentare. Dorëzuam kërkesë për prani në sesionin e radhës të Këshillit drejtues të BNJVL-së. Realizuam takim me Klubin e deputetëve të rinj në të cilin u dakorduam që deputetët e rinj ta vendosin Propozim-Ligjin në procedurë formale kuvendore. E informuam kryeministrin në takimin e 13 majit se jemi duke lobuar për këtë nismë.

Mbetet periudha për reflektim më të gjatë rreth propozimit të dhënë, pika të mundshme kontestuese që ka gjasa të shfaqen dhe disa ndryshime për përmirësimin e tij. Sapo të dakordohemi së bashku për këto çështje të hapura, pres që të gjithë deputetët nga të gjitha partitë ta mbështesin atë.

Jeni në gjysmë të mandatit dyvjeçar si kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme – sa është përmbushur nga programi me të cilin u zgjodhët vitin e kaluar dhe cilat prioritete mbeten për vitin e ardhshëm shkollor?

– Saktësisht, 10 qershori i këtij viti do të shënojë gjysmën e shërbimit tim si kryetar i Unionit. Unë dhe ekipi im u zgjodhëm në maj të vitit 2021, duke u premtuar shkollarëve se do të realizojmë programin zgjedhor, të titulluar “Back to School”. Parulla është, në fakt, një varg i këngës së famshme „Maggie May” të Rod Stjuartit. Kur u mbajtën zgjedhjet, kuptimi i saj ishte evident – ishte koha që nxënësit të ktheheshin në shkollat. Por, parulla reflekton gjithashtu edhe kuptimin e aktivizmit tonë: angazhimin për të kthyer të gjithë shoqërinë përsëri në bankat për shkak të nevojës për të kompensuar mësimin e lëshuar kolektiv.

Këtë program e përbënin shtatë pika. Prioriteti i parë është arritur tashmë: i rihapëm shkollat. Arritëm punë të rëndësishme ndaj pikës së dytë dhe të tretë. Edhe organizimin shkollar, edhe transportin publik falas dhe të drejtë për të gjithë nxënësit, i shndërruam në propozim-ligje dhe më së voni deri në fund të verës presim që ato të hyjnë në fuqi. Sa i përket mbështetjes për nxënësit e talentuar, vitin e kaluar mundësuam rritje të bursave për shkollarët për 42 për qind.

Gjatë vitit të kaluar, kemi punuar edhe në çështjet që nuk qenë të parashikuara në programin zgjedhor. Në këtë aspekt, luftonim kundër korrupsionit të sistemit, reaguam ndaj zhvillimeve me kampin e skautëve, e përuruam çmimin “më të ZËshëm” së bashku me LEA dhe “Konrad Adenauer”, kemi realizuar aktivitete të shumta të shkëlqyeshme me AUE-FON dhe organizuam debat për digjitalizim me Institutin “Hajdelberg” – Shkup.  Ajo që është më me rëndësi, u bëmë kandidatë për anëtarësim në OBESSU, respektivisht Unionin Evropian të Unioneve të Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Shpresoj që dy propozim-ligjet tona të hyjnë në fuqi kur të fillojë viti i ardhshëm shkollor në mënyrë që Unioni të mund të fokusohet në shëndetin mendor, respektivisht modelin e punës së psikologëve të shkollave dhe nevojën për arsim qytetar dhe financiar si lëndë e detyrueshme në shkollat e mesme. Njëri nga ambasadorët tanë rinor në Shkup, Leonardo Zmajshek, tashmë ka filluar të punojë në çështjen e dytë. Në qershor, do të formojmë dy ekipe në Unionin për secilën nga këto çështje, ndërsa për realizimin e tyre do të na shërbejë pjesëmarrja jonë në grupin e punës për Ligjin e ri për arsim të mesëm, që na është garantuar nga kryeministri.

Related posts

Kovaçevski: Informacionet për minierën Illovica fillimisht do t’i dorëzohen Qeverisë, ndërsa më pas do të ndahen edhe me mediat

Gazetamax.mk

13 vjet “Jetimat e Ballkanit”, Grubi: Respekt dhe mirënjohje ndaj punës së palodhshme

Gazetamax.mk

Tilev: Procesi për në BE, barrë e rënd që nuk duhet fundosur

Gazetamax.mk