GazetaMax
Lajme

Poloni, arrestohen persona të dyshuar për akte sabotimi për Rusinë

Kryeministri i Polonisë Donald Tusk tha se nëntë anëtarë të dyshuar të një rrjeti rus të spiunimit janë arrestuar pasi dyshohet se kanë koordinuar një fushatë sabotimi në Poloni.

“Aktualisht kemi nëntë persona të arrestuar dhe të akuzuar se janë përfshirë drejtpërdrejt në akte sabotimi në Poloni me kërkesë të shërbimeve ruse”, tha Tusk për lajmet e televizionit komercial TVN24, duke shtuar: “Po flasim për persona të punësuar. Ndonjëherë ata janë njerëz nga bota e krimit. Kjo vlen për rrahjet, zjarrvënien dhe tentativën për zjarrvënie, si dhe për shtetasit ukrainas, bjellorusë dhe polakë”.

Tusk u shpreh se gjëja më e rëndësishme është të rimerret plotësisht kontrolli mbi atë që po ndodh në territorin e shtetit polak. “Ndikimi i agjentëve rusë dhe i Kremlinit në atë që po ndodh në Poloni në nivele të ndryshme të qeverisë dhe administratës kërkon hetim”, tha ai duke shtuar se do të paraqesë detaje në lidhje me krijimin e një komisioni për ta sqaruar këtë çështje.

“Kishte një rast të profilit mjaft të lartë në Wroclaw ku një përpjekje për t’i vënë flakën një fabrike të prodhimit të bojës u dështoi, me një fabrikë kimike aty pranë. Është porositur nga shërbimet ruse, pa asnjë dyshim. Kemi të bëjmë me akte sabotazhi në Lituani, zjarrvënie e magazinës IKEA. Të njëjtët persona të ndaluar atje mund të kenë lidhje edhe me tentativa sabotazhi, kryesisht zjarrvënie në Poloni”, theksoi ai.

Këto ngjarje vijnë pas incidenteve të tjera më të mëdha, përfshirë zjarret në një sallë tregu në Varshavë dhe në vendet e deponive. Tusk tha javën e kaluar se Polonia do të ndajë 25 milionë dollarë shtesë për të rritur kapacitetet e shërbimeve të saj të inteligjencës, duke paralajmëruar për një kërcënim në rritje nga Rusia, veçanërisht për shkak të rolit të Polonisë si një qendër shpërndarjeje për furnizimet në Ukrainë.

Ai shtoi se përpjekjet ruse për të destabilizuar vendet evropiane, veçanërisht Poloninë dhe shtetet baltike, do të intensifikohen në prag të zgjedhjeve evropiane muajin e ardhshëm.

Related posts

Të gjitha vendimet e Qeverisë nga seanca e 82

Gazetamax.mk

Shkup-Bllacë, 18 milionë euro për 1 kilometër dhe autostrada askund?

Gazetamax.mk

Eskobar: Europa dhe ShBA kanë nevojë për Ballkanin Perëndimor

Gazetamax.mk