Prezantohet Raporti vjetor i të Punësuarve në Sektorin publik, ministri Haliti: Po riorganizojmë administratën

Ministri për Shoqëri informatike dhe administratë, Admirim Haliti përmes një konference për media sot në Qeveri ka prezantuar raportin vjetor të të punësuarve në Sektorin publik, ndërkohë që mes tjerave dhe të dhënave që ka publikuar ministri Haliti ka theksuar se tashmë do të fillojnë pilot projektet për riorganizimin e administratës shtetërore.

Sot prezantova Raportin Vjetor të të Punësuarve në Sektorin Publik për vitin 2021.

Me përmbylljen e datës 31 dhjetor të vitit 2021, numri i të punësuarve në sektorin publik është 132.088 persona. Të punësuarit, angazhimin e tyre të punës e realizojnë në gjithsej 1.346 institucione.

Prej numrit të përgjithshëm, 19.311 persona rezultojnë të punësuar në Armatë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Agjencinë e Sigurisë Nacionale, në Agjencinë e Zbulimit (Inteligjencës) dhe në Drejtorinë e Policisë Financiare. Përveç si numër, për këta persona të punësuar në Raport nuk pasqyrohen analiza të tjera të detajuara dhe kjo është për arsye ligjore dhe arsye sigurie. Përpunimi i detajuar dhe prezantimi i të dhënave kryhet vetëm për 112.777 personat e tjerë.

Me rëndësi është të theksohet se numri i të punësuarve në organet e pushtetit shtetëror, paraqet vetëm 13% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik, përkatësisht të punësuar janë 15.302 persona nga numri i përgjithshëm prej 132.088 persona. Më i lartë është numri i të punësuarve në sferën e arsimit me 33%, më tej vijon veprimtaria e shëndetësisë me 19%, administrata me 13%, pastaj të punësuarit në veprimtaritë komunale me 9%, veprimtaria e mbrojtjes së fëmijëve dhe politikës sociale me 7%.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur për 905 persona.

Ulje të numrit të të punësuarve ka në organet e pushtetit shtetëror. Në vitin 2020-të, në organet e pushtetit shtetëror ka pasur 15.945 persona të punësuar, ndërsa në vitin 2021, ky numër është 15.302, që nënkupton ulje për 643 punësime.

Në vitin 2021, është rritur numri i personave të punësuar me kualifikime të larta arsimore. Më tepër se gjysma, përkatësisht 52,6% prej personave të punësuar në sektorin publik kanë së paku arsim të lartë, ndërsa 4.753 janë magjistra 2.575 persona janë doktorë shkence. Gjinia femërore është e përfaqësuar me 55,3%, kundrejt gjinisë mashkullore me 44,7%. Mosha mesatare e të punësuarve është 46 vjeç.

Në aspekt të përkatësisë etnike, në nivelin e tërë sektorit publik, përfaqësimi sipas nacionaliteteve është: Maqedonasit me 73,57%, Shqiptarët me 20,35%, vijonë Turqit me 1,95%, Romët 1,19%, Serbët 1,07%, Boshnjakët me 0,49% dhe Vllehët me 0,4%, si dhe nuk janë deklaruar me 0.9%.

Si temë e dytë, të cilës iu referova ishin aktivitetet e MSHIA-së si koordinatore e projektit IPA 2017,,Mbështetja e Riorganizimit Shtetëror”, me të cilin janë parashikuar disa prej ndryshimeve më të guximshme në administratë.

Një nga produktet më të rëndësishme të projektit – Raporti i integruar, i cili i përmbledh të gjitha propozimet për riorganizim dhe paraqet një udhërrëfyes që veçmë
është miratuar nga ana e Qeverisë. Është marrë vendimi që Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, dhe Ministria e Ekonomisë të jenë pilot sisteme ministrore dhe tashmë ka filluar faza përgatitore.

Gjithashtu, iu referova draft-ligjeve: Ligjit për Shërbim e Lartë Udhëheqës, Ligjin për të Punësuarit e Sektorit Publik dhe Ligjin e Nëpunësve Administrativë, proces i cili është në fazë finale. Këta draft-ligje janë publikuar në Regjistrin Unik Nacional Elektronik.

Siç potencova, këto ligje do të kontribuojnë në kontekst të kufizimit të nivelit politik nga ai profesional, në përcaktimin e linjave të llogaridhënies së udhëheqësve të lartë, në promovimin e shërbimeve publike, në përforcimin e qeverisjes së mirë; do të kontribuojnë në aspekt të punësimeve në përputhje me merit sistemin, në thjeshtësimin e procedurave në aspekt të sistematizimit të vendeve të punës dhe të planeve vjetore, si dhe në motivimin plotësues të të punësuarve dhe në sistemin e ri të përllogaritjes së pagave.

Të fundit në përqindje