GazetaMax
Lajme

Refuzoi kompromisin për zgjedhjet serbe, emisari britanik i zhgënjyer me Kurtin

Qeveria Kurti po kritikohet nga shtetet e fuqishme.
I Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se është i zhgënjyer në autoritetet e Kosovës që nuk ka mundur të gjendet një zgjidhje që do të lehtësonte votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet nacionale të Serbisë.
Në një intervistë për medium malazez Vijesti, Peach ka thënë se është e qartë që Kosova ka të drejtë për të vendosur nëse një votim i tillë mbahet në territorin e saj, por ka shtuar se një refuzim i tillë e ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e vendit për vlerat demokratike për të gjithë qytetarët e saj.
“Isha i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votën e serbëve të Kosovës në territorin e Kosovës gjatë zgjedhjeve të ardhshme në Serbi. Ndërsa është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, mosshfrytëzimi i rastit për të arritur zgjidhjen praktike të ofruar në këtë rast vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, ka thënë ai.
Peach ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se ka vetëm një mënyrë të arrihet një zgjidhje dhe ajo është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ka vetëm një mënyrë që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, ajo është përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga BE. Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces dhe unë personalisht, si i dërguar, punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun”, ka thënë ai.
“Megjithatë, duhet të kemi parasysh se në fund të fundit ky proces u përket këtyre dy vendeve. Ata duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit të Kosovës dhe të Serbisë, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme dhe të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Është e qartë se gjetja e një zgjidhjeje është në interes dhe kontribuon në sigurinë e të gjithëve në rajonin më të gjerë. U bëj thirrje liderëve të të dyja palëve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive.”, përfundoi Peach.

Related posts

Së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për alarmet e rreme për bomba

Gazetamax.mk

“Çdo plumb ka një objektiv” – ngjarje për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e përdorimit të armëve

Gazetamax.mk

Qeveria inicon heqjen e shtetësisë së Onishçenkos

Gazetamax.mk