GazetaMax
Lajme

Reshje intensive shiu në pesë bashkitë e qarkut, raportohen përmbytje dhe probleme në disa zona

Prefekti i Qarkut Shkodër ka bërë të ditur se, bazuar në komunikimet e vazhdueshme me strukturat vendore të Mbrojtjes Civile, vijojnë reshjet me intensitet të lartë në të gjithë territorin e qarkut, duke shkaktuar probleme të përkohshme në disa njësi administrative.

Sipas të dhënave më të fundit, reshje të dendura janë regjistruar në pesë bashkitë e qarkut Shkodër: Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz.

Në bashkinë Fushë Arrëz, janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh në disa rrugë rurale, si dhe prezencë uji në akse rrugore, ndërsa po punohet për pastrimin dhe hapjen e tyre.

Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 150 mm reshje shiu, por deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet kryesore të kullimit, argjinaturat mbrojtëse apo digën e rezervuarit të Shtodrit. Punonjësit janë në terren dhe do të ndërhyjnë në rast identifikimi të problematikave të reja.

Në bashkinë Shkodër, veçanërisht në njësinë administrative Gur i Zi, po merren masa për pastrimin e urës dhe përroit, të cilët kanë shkaktuar probleme në qarkullim. Janë vendosur në dispozicion mjete shtesë për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.

Në bashkinë Vau Dejës, janë raportuar përmbytje të pjesshme të disa banesave në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel, ndërsa lumi Glinë paraqet rrezik për dalje nga shtrati.

Autoritetet vendore dhe strukturat e Mbrojtjes Civile po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, duke qenë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme në terren.